Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka bërë të ditur se sot, kur të gjithë nxënësit u janë kthyer mësimit me prezencë fizike, tha se nga 779 shkolla në vend, 745 prej tyre kanë mbajtur mësim me prezencë të plotë ose orar të rregullt, ndërsa 34 të tjera do të fillojnë me orar të rregullt nga nesër, sepse sipas tij, sot janë marrë me hartimin e mësimit dhe informimin e nxënësve për oraret e reja.
Pupovci tha se të gjithë nxënësit rikthehen përsëri me maska dhe me nevojën që të mbajnë higjienën, ndërsa sipas tij mësimdhënësit duhet të jenë të angazhuar që të parandalohet përhapja e infeksionit.
Më tej, ai tha se Ministria e Arsimit ka gati tre skenarë, të cilët në rast nevoje mund t’i kthehen mësimit edhe në mënyrë online.
“Ne nuk e kemi ndërprerë emetimin e video-mësimeve përmes transmetuesit publik, ato vazhdojnë të emetohen dhe këtë e bëjmë në mënyrë që paraqitet nevoja për diçka të tillë, çdo gjë duhet të jetë e gatshme dhe nxënësit dhe mësimdhënësit të mund t’i shfrytëzojnë ato për mësim në distancë”.
“Në udhëzuesin tonë janë tri skenarë, A, B dhe C të cilëve mund t’iu kthehemi pa vështirësi nëse paraqitet nevoja për diçka të tillë. Ndryshe, vendimet për rikthim në skenarë, do t’i marr secila shkollë për vete”, është shprehur Pupovci në Info Magazine në Klan Kosova.
Kurse, sa i përket orëve të humbura, Pupovci tha se MASHT-i ka bërë një plan për zëvendësimin e orëve ku deri në fund të këtij cikli mësimor të gjitha orët e humbura tdo të zëvendësohen.
“Sa i përket humbjes së orëve këtë vit, ne kemi bërë një plan për zëvendësimin e orëve i cili përcillet e i cili është duke u përcjellur deri në fund të këtij gjysmëvjetori do të bëjë të mundur që të gjitha orët e humbura të zëvendësohen. Vetëm se vazhdojmë të kemi frikë për ndërprerje të mëvonshme të cilat mund të ndodhin si shkak i pandemisë”, është shprehur Pupovci, njofton Klankosova.tv.