Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se gjat takimeve në Bruksel e kanë evidentuar si problem kyç mosgatishmërinë e palës serbe që të mos i hap arkivat ushtarake që kanë të bëjnë me divizionin për Kosovën dhe në të njëjtën kohë joseriozitetin e Serbisë kur kërkon gërmime në Kosovë.
Ai ka thënë se në takimin trilateral janë njoftuar se nga lokacionet në Kizhevak, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Beograd ka arritur t’i identifikojë emrat e shtatë personave të gjetur, ndërkohë ka informacione se edhe në Bogë të Kosovës janë identifikuar dy persona.
“Kemi diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e tyre. Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, ka thënë ai.