Katër njoftime i ka lëshuar të hënën Federata e Futbollit të Spanjës në sajtin zyrtar lidhur me aktivitetet e përfaqësueses spanjolle. Spanja të mërkurën luan ndaj Kosovës në Prishtinë, por në asnjërin prej njoftimeve të lëshuara të hënën nuk përmendet Kosova. Përmendet Prishtina, por jo edhe Kosova.
Kështu autoritetet zyrtare spanjolle vazhdojnë me trajtimin jo të barabartë të Kosovës, sa i takon prezantimit. Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe Federata e po ashtu mediat publike spanjolle shmangin maksimalisht përmendjen e Kosovës.
Trajtimi jo i barabartë sa i takon prezantimit ishte shumë i theksuar në ndeshjen e parë mes Spanjës e Kosovës, të luajtur më 31 mars në Sevilla. Por po vazhdon edhe në prag të ndeshjes, që luhet të mërkurën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndryshe qëndron situata me mediat e mëdha sportive spanjolle. Kosova është prezent vazhdimisht në shkrimet e tyre, pa ndonjë parashtesë.
“Stërvitja e fundit në Las Rozas para udhëtimit për në Prishtinë”, shkruan në shkrimin e fundit të publikuar në “sefutbol.com”, sajtin zyrtar të Federatës spanjolle për ekipet përfaqësuese.
“Ekipi nacional i Spanjës ka kompletuar stërvitjen e fundit në ‘Cuidad del Futbol of Las Rozas’ para udhëtimit për në Prishtinë për të mbyllur këtë dritare kualifikuese për Botërorin ‘Katari 2022’. Lajmi i madh ishte prezenca e Sergio Reguilonit, që ka zëvendësuar Jose Gayan”, shkruan në njoftim.
Një lajm tjetër është për Cesar Azpilicuetan, që ka mbajtur shiritin e kapitenit për herë të parë. Ndërsa dy lajme kanë të bëjnë me grumbullimin e vonshëm të Reguilonit.
“Futbollisti i Tottenhamit, Sergio Reguilon, i është bashkuar grumbullimit të Spanjës sot. Mbrojtësi i majtë do të ushtrojë këtë mëngjes nën urdhrat e Luis Enriques dhe do të udhëtojë me ekspeditën për në Prishtinë”, shkruan në njërin njoftim, pa u cekur fare se Spanja luan me Kosovën në Prishtinë.
Në një njoftim të publikuar të dielën, “sefutbol.com” i referohet Kosovës si ekipi i Federatës së Kosovës. Pra, nuk është shkruar “Kosova” si për përfaqësueset e tjera të grupit.
Federata spanjolle e shmang maksimalisht përmendjen e Kosovës, ndërsa kur nuk mund ta shmangë, atëherë kryesisht i referohet si “ekipi i Federatës së Kosovës”.
Edhe më i theksuar trajtimi jo i drejtë i Kosovës është në sajtin zyrtar të Radio Televizionit të Spanjës, “rtve.es”. Transmetimi i ndeshjes së mërkurës mbrëma paralajmërohet në formën: “Federacion de Futbol de Kosovo – Espana”. Edhe në shkrimet në “rtve.es”, përfaqësuesja e Kosovës paraqitet kryesisht si “Federata e Kosovës”.
Pikërisht televizioni spanjoll kishte bërë punën kryesore për prezantimin jo të drejtë të Kosovës në ndeshjen e parë. Derisa në transmetim direkt e kishte shkruar ESP për Spanjën me shkronja të mëdha, për Kosovën e kishte shkruar “kos”. Pra, me shkronja të vogla, praktikë kjo e paparë në transmetimet e futbollit.
Ishte shmangur edhe paraqitja e flamurit të Kosovës, pos për anën zyrtare të ndeshjes, ku UEFA është e pakompromis.
Ndërkohë sajti “sport.es” ka shkruar se Kosova ende ka llogari të hapura me Spanjën. Sipas këtij mediumi, kosovarët vazhdojnë të ndihen të lënduar nga Qeveria spanjolle për trajtimin formal që e kishin në ndeshjen në Sevilla. “sport.es” madje pretendon se Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur me pengesa, duke limituar numrin e mediave spanjolle të akredituara për ndeshje.
“Për momentin, Federata kosovare ka bërë shumë probleme për akreditimin e mediave spanjolle. Në fund, ka ofruar tetë akreditime. Disa media madje kanë zgjedhur të dorëhiqen vullnetarisht para se të përballen me befasi të pakëndshme. Federata spanjolle nuk pret ndonjë shok, marrë për bazë kontrollin strikt të UEFA-s në këto ndeshje”, ka shkruar “sport.es”.
Përfaqësuesja spanjolle të martën udhëton për në Kosovë. Nga ora 19:00 pritet të zhvillojë stërvitje në “Fadil Vokrri”.
Spanja udhëheq në Grupin B të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”. Ka 10 pikë nga pesë ndeshje. Kosova është e treta me katër pikë nga katër ndeshje.