Burri që sulmoi gjatë ditës së djeshme tri vajza në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë është vetëdorëzuar në Polici.
L.S që është nga komuna e Rahovecit sot do të përcillet për në seancë dëgjimore dhe i njëjti do t’i dorëzohet në përkujdesje të policisë në Prishtinë, njofton Klankosova.tv.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.
“Sot me datë 03.09.2021 i njëjti në përcjellje të avokatit mbrojtës është paraqitur në Stacionin policor – Rahovec dhe është në procedurë të pagesës së dënimeve – gjobave mandatore, si dhe sot në përcjellje të policisë do të paraqitet para gjykatësit në një seancë dëgjimore të një rasti të mëhershëm. Policia nga stacioni policor – Rahovec ka kontaktuar më policinë nga stacioni policor – Prishtinë, kanë shkëmbyer informata dhe del se personi në fjalë kërkohet nga hetuesit lidhur më rastin e ndodhur dje në Prishtinë” tha Xhurkaj.
“Pas përfundimit të obligimeve ligjore që ka ndaj shtetit, i njëjti do të i dorëzohet në përkujdesje të policisë në Prishtinë”.
Kujtojmë se pamjet e djeshme të publikuara në media sociale kanë ngjallur reagime të ashpra në opinion.
Në to shihet se si i dyshuari vrapon nga rruga kryesore për t’i sulmuar brutalisht tri vajzat që sipas informacioneve të deritanishme janë punëtore të një qendre masazhi në kryeqytet.