Grupi Parlamentar i LDK-së është shprehur i gatshëm që deputetët të ndërprejnë pushimet dhe të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme pas situatës së rënduar me COVID-19.
Shefi i këtij grupi parlamentar, Arben Gashi, ka thënë se numri rekord i rasteve të vdekjes dhe i atyre të të infektuarve, procesi i vaksinimit dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor janë disa nga temat që duhet të diskutohen menjëherë në Kuvend.
“Grupi Parlamentar i LDK-së, shpreh gatishmërinë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pas gjendjes së re të krijuar si pasojë e shpërthimit të valës së re të pandemisë dhe abstenimit të Qeverisë karshi saj”.
“Numri rekord i rasteve të vdekjes dhe i atyre të infektuar, sasia e vaksinave në dispozicion dhe procesi i organizimit të vaksinimit të qytetarëve, si dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor, janë vetëm disa nga temat e domosdoshme për diskutim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Një kërkesë të tillë e ka pasë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili gjatë ditës së djeshme përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti e ka konsideruar të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi po ashtu ka shtrirë dorën e bashkëpunimit duke kërkuar që të tejkalohen dallimet politike dhe të krijohet një front i përbashkët në luftën me pandeminë.