Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, i ka drejtuar një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke shprehur shqetësimin për mosmenaxhimin efikas të pandemisë nga qeveria.
Krasniqi tha se duhet një angazhim urgjent dhe maksimal të institucioneve shtetërore.
“I brengosur me gjendjen tejet të rëndë të pandemisë, kur vendi ynë po përjeton një tragjedi, sot i kam dërguar një letër Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, për të shprehur shqetësimin tim për mungesën e një menaxhimi efikas, e për të kërkuar një reagim urgjent dhe një angazhim maksimal të institucioneve shtetërore”.
Ai iu ka kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ndërprejnë pushimin.
“Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë, PDK e konsideron të domosdoshëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendimeve për tejkalimin e kësaj tragjedie”.
I pari i PDK-së theksoi se duhet një front i përbashkët dhe jo një luftë e brendshme.
“Për këtë, do të bisedoj edhe me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Na duhet një front i përbashkët, e jo një luftë e brendshme politike, për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve”.
