Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po akuzon prokurorët dhe gjykatësit për mosprofesionalizëm, duke përmendur rastin e Dardan Krivaqës, për të cilin ai thotë se është i akuzuar për 135 vepra penale.
”…ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata?”, shprehet Sveçla mes tjerash, në një reagim të tij, përcjell Klankosova.tv.
Madje sipas tij nëse prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qasje në këto dosje, Sveçla thotë se ua siguron vet ato.
Për më shumë ja reagimi i plotë i tij:
”Pushtetet në Kosovë i kemi të ndara, por krimin duhet ta luftojmë së bashku, kështu e kërkon ligji. Praktika e fshehjes prapa veprave kriminale, e parashkrimi me qëllim i lëndëve kriminale ‘për miqtë’ dhe ‘të fortët’, si dhe hedhja e fajit tek tjetri duhet të marrë fund.
Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata? Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit!
Në anën tjetër, mijëra lëndë të pazgjidhura qëndrojnë me vite të tëra nëpër prokurori e gjykata si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar ato dhe për të vendosur drejtësinë për qindra e mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës.
P.S. Në qoftë se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qasje në databazën e Policisë së Kosovës, ua dërgoj unë listën!”