Në realizim të vendimit të Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontroll, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, Policia Rajonale në Prizren sot ka ndërmarrë masa për kontroll të salloneve të dasmave.
Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë të ditur se gjatë inspektimit dhe kontrollimit në rrugën Prizren-Landovicë, në dy salla të dasmave kanë vërejtur se kanë organizuar dasma në kundërshtim me vendimin e Qeverisë përkatësisht neni 18 i vendimit ku thotë:
” Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Për këtë, janë informuar Inspektorët të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë
të urdhrit të Inspektorit, dasmat janë ndaluar dhe janë shpërndarë dasmorët. Në lidhje më
këtë për organizimin në kundërshtim të vendimit të Qeverisë janë shqiptuar dënime nga ana
e Inspektorëve.
Andaj, në zbatim për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontroll, parandalimin dhe
luftimin e pandemisë COVID-19, Policia në Prizren do të vazhdojë duke vepruar gjatë gjithë
kohës së bashku me Inspektorët dhe mekanizmat tjerë shtetëror në bazë të vendimit të
Qeverisë dhe ligjit Nr.07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në
territorin e Republikës së Kosovës.