Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, gjatë realizimit të një pike kontrolli të veturave, është ndaluar një aubobus me targa vendore në të cilin gjendeshin 61 shtetas të huaj.
Sipas njoftimit, në mesin e tyre ishin edhe dy të mitur, ndërkohë që të gjithë ishin me origjinë nga Siria, Irani dhe Iraku.
“Gjatë kontrollimit të autobusit është vërejtur se në autobus gjenden 61 (gjashtëdhjetë e një) shtetas të huaj (në mesin e tyre 2 të mitur), me origjinë nga Siria, Irani dhe Iraku. Në lidhje me këtë rast janë njoftuar zyrtarët policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë të cilët janë marrë me trajtimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim.
I dyshuari, shtetas i Kosovës ka deklaruar se emigrantët i ka marrë në Prizren dhe ka pas për qëllim t’i dërgojë deri në stacion të autobusëve në Mitrovicë.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të tij i dyshimti i lartcekur është arrestuar dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’. Ndërsa shtetasit e huaj janë trajtuar nga Njësia për Migrim. Pas intervistimit të të dyshuarit në praninë e avokatit të tij mbrojtës, i njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundon njoftimi.