Nënë e bir, që po mbyteshin në det në Spille, u shpëtuan këtë të enjte nga një vrojtues plazhi.
Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” tregoi sesi Idajet Roçi u hodh në ujë pa u menduar dy herë për të shpëtuar nënën dhe djalin e saj që rrezikonin vdekjen për shkak të ujit të trazuar.
Gjatë aktit heroik, ai ka pirë ujë dhe për pasojë, tani ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
“Misioni ynë është të shpëtojmë jetë! Vrojtuesi i plazhit Idajet Roçi, ka bërë një shpëtim heroik duke rrezikuar jetën e tij. Nënë e bir kanë qenë duke u mbytur në det kur janë pikasur nga Idajeti. Ai ka ndërhyrë menjëherë për t’i shpëtuar, duke nxjerrë në breg më parë nënën dhe më pas të birin. Deti ka qenë i trazuar sot në plazhin e Spillesë dhe në luftë me dallgët Idajeti ka pirë ujë dhe ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai është transportuar menjëherë në spital dhe është nën kujdesin e mjekëve. Forca Idajet, të gjithë vrojtuesit sot krenohen me emrin tënd.”/VizionPlus/