Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit B.P. për shkak se dyshohet që ka kanosur një zyrtar policor.
Ky vendim thuhet se është marrë pasi ka mundësi që i dyshuari të arratiset dhe t’i shmanget procedurës penale – hetimore.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se “Me datë 17 gusht, në orët e pasdite në Prizren, i pandehuri B.P., seriozisht e kanos të dëmtuarin – zyrtarin Policor në lidhje me punën dhe pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari si zyrtar policor ishe duke u marr me rastin penal lidhur me ndalimin e djalin e të pandehurit, i pandehuri B.P., tre herë shkon në zyrat e policisë për të marrë informata për djalin e tij, më pas përmes telefonit e thërret të dëmtuarin – zyrtarin Policor, dhe i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “ ku je e tek je kam me të gjetë e ki me pa se kush jam unë, kam mu marrë me ty mirë, unë të gjej gjithqysh ty”, me ç ‘rast tek i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri personale”.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës penale, pasi që i pandehuri dyshohet të ketë kanosur zyrtarin policor pikërisht për shkak punës dhe detyrës së tij zyrtare, dhe me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të arratisen dhe t’i shmanget dhe të pengojnë procedurën penale- hetimore”.