Dega e LDK-së në Prizren, përmes një komunikate dërguar mediave, shpreh shqetësime të mëdha rreth tollovive që janë krijuar ditëve të fundit në Prizren me rastin e vaksinimit të qytetarëve, duke i bërë thirrje institucioneve që të angazhohen në ruajtjen e shëndetit publik të popullatës.
Komunikata e plotë:
Jemi jashtezakonisht të shqetësuar me rrezikimin e shëndetit publik që po ndodhë në Qendrë Sportive “Sezair Surroi”, ku për tu vaksinuar qytetarët e Prizrenit po presin në turmë e radhë të gjata pa fund.
Duke parë që pushteti lokal ka dështuar tërësisht në menaxhimin e këtij procesi që ka për qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, por që po ndodhë krejt e kundërta, ftojmë organet përgjegjëse në nivel shtetëror si: Qeverinë, Policinë, Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik për Prizren, që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtje të shëndetit publik.
Ne LDK-ja bëjmë thirrje që ti gjindet zgjidhja kaosit e tollovisë në këtë qendër vaksinimi, sepse Prizreni ka hapësira të mjaftueshme që do të mund të futeshin në funksion të këtij procesi, krejt cfarë kërkohet është angazhim, seriozitet e kreativitet nga pushtetarët lokal, të cilëve kjo mjerisht po u mungon sot, e ju ka munguar përgjatë gjithë mandatit.
Qytetarët e Prizrenit nuk ua kanë me borxh rrezikimin e shëndetit të tyre, prandaj veproni sa nuk është bërë vonë.