Pas rritjes drastike të numrit të infektuarve me COVID-19 në dy ditët e fundit dhe vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave të reja anti-COVID, ka reaguar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke apeluar për respektim të masave dhe vaksinim masiv të personave mbi 18 vjeç.IKSHPK thotë se rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë rapide javën e fundit! “Pos masave tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, e keni dispozicion metodën më të mirë, më të lirë dhe më efikase në luftë kundër COVID-19:VAKSINIMI!”“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka realizuar hulumtimin seroepidemiologjik të bazuar në popullatë i shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS CoV-2 (COVID-19) në Kosovë, i realizuar sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
“Ky hulumtim është ndër të rrallët në botë që është bërë i bazuar në popullatë i realizuar nga ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe gjashtë Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike, nga profesionistë të trajnuar në bashkëpunim me OBSH”.Sipas IKSHPK, r”ezultatet preliminare tregojnë se 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, ku veçuar sipas rajoneve numri më i madh i personave me IgG pozitiv janë gjetur në rajonin e Prizrenit me 45.6% dhe Ferizajt me 45.3%. Pastaj, vjen rajoni i Prishtinës me 40.0%, rajoni i Gjakovës me 39.5%, Gjilanit 36.3%, Pejës 35.0%, kurse numri më i vogël i IgG pozitive janë gjetur në rajonin e Mitrovicës me 23.4%”.
“Pasi që në hulumtimin seroepidemiologjik rezultatet tregojnë se vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, rezultatet e hulumtimit tregojnë qartë se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv i duhur për tu mbrojtur nga Pandemia COVID-19, andaj masa më efikase më e mirë dhe më e lirë është vaksinimi masovik i popullsisë së Republikës së Kosovës”.
“Andaj fuqishëm rekomandojmë vaksinimin masovik të popullsisë mbi 18 vjet. Rekomandohet fuqishëm që të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësorë, të gjithë punëtorët arsimorë, policia e shtetit dhe administrata dhe e tërë popullata”.“Zbatoni rekomandimet e IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të mbajtur në kontroll e situatës epidemiologjike dhe ndërmarrja e masave për ndërprerjen e përhapjes duke u zbatuar me përpikëri vendimet e Qeverisë, në të gjitha degët e ekonomisë dhe veprimtaritë arsimore e institucionale, ku ka grumbullim të pakontrolluar të njerëzve, sipas Udhëzuesve të Ministrisë së Shëndetësisë që do të na mundësojnë të dalim nga pandemia COVID-19 me sa më pak pasoja dhe t’ i kthehemi jetës normale”, thuhet në komunikatën e IKSHPK.Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e 25-të, në të cilën ka shqyrtuar dhe aprovuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, pas situatës së krijuar me rritjen e numrit të të infektuarve me këtë virus në vendin tonë.Masat e reja për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë vërtetuar si të domosdoshme për të kufizuar transmetimin e COVID-19 dhe për të zvogëluar vdekjet.