Në dy vjetët e fundit, rreth 220 mjekë janë larguar nga Kosova duke kërkuar punë në Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian (BE). Mbi 150 mjekë të tjerë pritet që të largohen vetëm këtë vit.
Përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës, thonë se ky trend i rritjes po thellon krizën për staf shëndetësor. Sipas tyre, arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, kanë të bëjnë me kushtet e këqija të punës, problemet me specializim dhe pagat e ulëta.
Paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.
Një pagë të tillë synon ta marr edhe Rrezon Nalli nga fshati Krushë e Madhe, i cili ka diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në korrik të vitit 2019.
Ky 26-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, si qindra mjekë të rinj në Kosovë, është duke tentuar të gjejë punë në Gjermani. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pagat e vogla në sektorin e shëndetësisë dhe kushtet jo të mira të punës, kanë ndikuar që ai të mendoj të largohet nga vendlindja.
“Të them të drejtën, këtë dëshirën për të shkuar jashtë vendit, e kam pasur gati thuajse nga viti i dytë i studimeve në fakultet, gradualisht e kam parë që sistemi shëndetësor është degraduar dhe thjesht nuk e kam gjetur veten si pjesë të këtij sistemi. Më është dashur të sakrifikoj shumë për të përfunduar studimet”, tha Nalli.
Rrezon Nalli ëndërron që të bëhet një ortoped i suksesshëm në Gjermani. Si student, kishte shkuar në Gjermani në vitin 2017 me vizë pune dhe me t’u kthyer nga atje, kishte filluar të mësoj gjuhën gjermane.
“Jam në fazë të pritjes së rezultateve të nivelit B2 (test i gjuhës gjermane), kam hyrë në provim. Diplomën e B1 e kam marr më herët, mirëpo për ne në mjekësi është e obligueshme niveli B2 i gjuhës, për këtë arsye kam vazhduar me kurse”, tha Nalli.
Ylber Murtezaj pronar i nj shkolle të gjuhëve të huaja në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se rreth 2 vjet mund të zgjasë kursi për të mësuar gjuhën në nivelin që kërkohet dhe shuma që duhet të paguar, kalon mbi 1 mijë euro.
“Niveli bazik mund të sillet rreth 150 euro. Ky nivel përfshin nivelin A1 dhe A2, dy nivelet komplet 200 euro. Pastaj nivelet B1 dhe B2, mund të shkojnë rreth 300 euro, dy nivele 600 euro. Këtu varet edhe forma e ndjekjes së kursit, a është në grup apo në mënyrë individuale”, tha Murtezaj.
Rreth 150 mjekë pritet të largohen këtë vit nga Kosova
Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, një numër i përafërt pritet të largohet nga Kosova deri në fund të këtij viti.
Pleurat Sejdiu nga kjo Odë, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e mjekëve që largohen nga Kosova, shkojnë në Gjermani.
“Që nga funksionalizimi i Odës së Mjekëve të Kosovës, tash është viti i katërt, këtë vit ka qenë numri më i madh. Vetëm për 7 muajt e parë kemi pasur 82 mjekë, të cilët kanë kërkuar dokumentin për largim, i cili iu duhet si referencë apo si dokument nga Oda e Mjekëve që nuk kanë ndonjë problem me kodin e etikës profesionale dhe me ligjet në Kosovë”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se rreth 220 mjekë janë larguar nga Kosova në dy vjetët e fundit dhe nëse vazhdon ky trend i largimit, Kosova do të përballet me mungesën e mjekëve.
“Unë mendoj që brenda 5 vjetëve do ta kemi krizën se trendi shkon edhe tek rritja e numrit të specialistëve të rinj që largohen. Në gjashtëmujorin e parë, kemi pasur 7 specialistë të rinj që janë larguar dhe kjo e keqëson edhe më shumë situatën, kur ne kemi moshën mesatare mbi 50 të mjekëve të punësuar në Kosova”, tha Sejdiu.
Sipas Sejdiut, 90 për qind e atyre që largohen nga Kosova janë mjekë të përgjithshëm të sapo diplomuar.
Shëndetësia, IT-ja, gastronomia, inxhinieria dhe bujqësia më të kërkuarat
Instituti GAP, ka bërë dy raporte në vitet e fundit, sa i përket emigrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Jeton Mehmeti nga ky institut, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse trendi i emigrimit të fuqisë punëtore kthehet në përmasat e kohës para pandemisë, sektori i kujdesit shëndetësor, teknologjisë informative, i gastronomisë, inixhieria dhe bujqësia, rrezikojnë të preken seriozisht nga mungesa e fuqisë punëtore.
“Emigrimi i fuqisë punëtore drejt vendeve të BE-së është në rritje. Rregullorja për Ballkanin Perëndimor, ka ndikuar dukshëm në rritjen e emigrimit të fuqisë punëtore drejt Gjermanisë. Nga të dhënat qe kemi siguruar nga Agjencia Federale e Punësimit e Gjermanisë, del se kosovarët prijnë për nga interesimi për të emigruar”, tha Mehmeti.
Lirim Krasniqi nga Organizata joqeveritare Germin, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, tha se shumica e të rinjve nga Kosova që marrin viza të Gjermanisë, shkojnë të punojnë në sektorin e ndërtimtarisë.
“Vetëm punëtorët shëndetësorë që shkojnë në Gjermani, përfundojnë duke punuar në të njëjtin sektor, kurse jashtë shëndetësisë ka përzierje të shumë fushave dhe kryesisht ata që shkojnë në Gjermani përmes këtyre formave të migrimit, përfundojnë në sektorin e ndërtimtarisë”, tha Krasniqi.
Ambasada e Gjermanisë: Mbi 50 mijë viza në vitin 2019
Për shkak të pandemisë COVID-19, gjatë vitit 2020 dhe 2021, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, ka mundur të lëshojë viza vetëm për bashkim familjar, për studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punëtorë me kualifikim të lartë.
Në vitin 2019, sipas një përgjigje të ambasadës dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo ambasadë ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza.
Prej tyre rreth 36 mijë viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtëra (viza Schengen), si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata, bashkim familjar, viza pune dhe viza studimi.
Pandemia ndryshoi çdo gjë në vitin 2020.
“Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia, në vitin 2020 Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, i ka lëshuar vetëm 18.000 viza. Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtëra dhe 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e këtyre vizave të lëshuara kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit”, thuhet në përgjigje.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjithsej 8,724 qytetarë të Kosovës janë larguar gjatë vitit 2020, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë. Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2020, ishin emigrantët legalë.
Sipas ASK-së, arsyet e emigrimit legal janë bashkimi familjar, martesat, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme, studime afatgjata me punësim etj. Përveç vendeve të BE-së, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera kryesisht në SHBA, Turqi, Kanada dhe vende tjera.