Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar lidhur me kritikat e fundit ndaj tij lidhur me “Open Ballkan” dhe këngëtarin Goran Bregoviq i cili ishte ftuar të këndonte në Korçë.
Rama përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka edhe gjatë ditës së djeshme ka pranuar të shara e mallkime në postimin e tij pas takimit që pati me dy xhudistet kosovare të cilat fituan medaljet e arta në Tokio, Nora Gjakova dhe Distria Krasinqi.
“Siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë shkurt s’po i le pa thënë me këtë rast”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës.
“Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën”, ka shkruar Rama.
Kryeministri shqiptar më tej ka përmendur edhe çështjen e “Open Ballkan”, ku ka theksuar se është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.
Postimi i plotë:
Dje pata kënaqësinë e posaçme të kem për vizitë dy vajzat e arta kosovare të Tokios, së bashku me trainerin e tyre fenomenal. Kërkuan të më takonin dhe u ndjeva shumë i nderuar. Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë “Po unë jam tradhëtar, s’dua t’ju hap telashe!”. Qeshën shumë në fakt dhe i bëmë fotografitë, që kishin dëshirë edhe t’i postoja në faqen time.
Mirëpo, siç e prisja, ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim. Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë, është më e mira që duhet thënë në këto raste. Dhe falur i kam, ata e kë ata i frymëzon e i ushqen me helmin verbues të urrejtjes, dasisë, frikës nga e ardhmja. Por dy fjalë shkurt s’po i le pa thënë me këtë rast.
Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën.
Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?
E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike.
A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?