Punon 11 muaj në vit dhe çdo mbrëmje shkruan me familjarët në vendlindje. Shpesh përlotet nga malli për babë e nënë, por edhe për grua/burrë e fëmijë. Jeton kryesisht një jetë nën mesatare dhe fiton kryesisht më pak se vendorët atje ku punon. Mendon shpesh si të ndërtojë një shtëpi dhe njëherë kur të plaket të kthehet në vendlindje. Por fëmijëve përpiqet t’u sigurojë një të ardhme më ndryshe, më të mirë – diku ku kanë perspektivë më të mirë për jetë, pra më të mirë se në vendlindjen e tij.
Shikon dhe lexon rregullisht lajmet dhe nervozohet edhe më shumë se ata që jetojnë në vendlindje për dukuritë negative në pushtetin e vendit ku ka lindur, sepse atje ku jeton tani e sheh që pushteti mund të funksionojë edhe ndryshe – kryesisht pa vjedhje, pa korrupsione e afera të mëdha. Nervozohet për çdo postim në rrjetet sociale kundër vendit të tij dhe kundër tij (mërgimtarit) personalisht. Voton shpesh për ndryshime, sepse gjithmonë mendon se në vendin e tij mund dhe duhet të jetë më mirë! Kursen shumë dhe përpiqet të punojë edhe jashtë orarit të punës, për të ndihmuar familjarët, për të krijuar një bazë të mirë materiale…
E kur shkon në vendlindje, nervozohet shumë për tollovitë në rrugë, shpesh udhëton nga dy ditë pa ndërprerë, pret nëpër kufijë me orë të tëra. Por e mban entuziazmi se do të shohë familjen, fëmijët, tokën që e rriti, nënë e babë, ose të pakten varret e tyre, familjen e gjërë… Shpesh përlotet kur i sheh familjarët dhe përpiqet t’ua bëj qefin të gjithëve. Por ndonjëherë pa nevojë sillet si boss dhe ka probleme me përshtatjen ne vozitjen vendore. Nervozohet shumë kur e kalon dikush nga krahu i djathtë, sepse kjo nuk ekziston atje ku ai jeton. Shkon në deti të patkën një javë, kryesisht me familjarë. Përpiqet t’ua paguajë pushimet.
Nuk flet shumë për kushtet e jetës atje ku jeton, sepse shumëkush në vendlindje ka një shtëpi më të mirë, ka një banesë më të mirë, e ai/ajo thjesht nuk mund ta kuptojë si është e mundur që dikush që nuk fiton shumë, ka më shumë se ai/ajo…. Më së shumti i pëlqen ushqimet tradicionale dhe i lejon vetes të hajë shumë brum – flija, pite, byrekë… por edhe çebapa, suxhuk e speca në gjizë, turshi e pasul me mish… Shkon në shumë dasma, për t’u dëfryer sa më shumë dhe për t’u çmallur me familjarë.
E kur të kthehet nga vendlindja, prapë e presin lotët. Edhe tollovitë, ndërsa xhepat i ka bosh – natyrisht. Por në mërgim e presin 11 muaj të tjerë dhe mund t’i mbushë prapë…
Rruga e mbarë o faqebardhë – kudo që niseni e shkoni! Ruajeni shëndetin.