Komuna e Prizrenit ka fshirë borxhet e mbeturinave pa formuar komision për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve.
Sipas raportit të auditorit, shlyerja e këtyre borxheve është bërë vetëm në sistemin kompjuterik e jo për ankesat e qytetarëve.
Në raportin e ZKA-së po ashtu thuhet se kjo fshirje e borxheve ka qenë për periudhën e viteve 2016-2020, kurse shuma totale ka qenë 364,284 euro.
Për këtë shumë, komuna kishte faturuar gabimisht të njëjtat amvisëri me nga dy fatura.
Numri i amvisërive që u janë shlyer borxhet është 2,397.
Sipas auditorit me fshirjen e borxheve në këtë mënyrë, mund të shkaktojë trajtim jo të barabartë të taksapaguesve.
“Fshirja e borxheve në mungesë të ankesave të protokolluara si dhe mos formimi i komisionit për shqyrtimin e tyre rrit rrezikun e shlyerjes së borxheve në mungesë të dëshmive përkatëse, po ashtu, ndikon edhe në trajtimin jo të barabartë të taksapaguesve. Më tutje, intervenimi në softuerin për mbeturina duke anuluar faturat pa ndonjë gjurmë në sistem, lë hapësirë për keqpërdorim si dhe shkakton pasiguri të saktësisë së llogarive të arkëtueshmeve”, thuhet në raport.
Sipas auditorit kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollit të brendshëm efektiv me rastin e shlyerjes së borxheve.
Auditori ka rekomanduar kryetarin Mytaher Haskuka se duhet të formojë një komision profesional i cili do të verifikojë faturat e fshira/anuluara për tu siguruar se faturat e fshira/anuluara vërtet kanë qenë gabim bazuar në gjendjen faktike. Po ashtu, duhet të sigurojë se ankesat pranohen përmes zyrës së protokollit dhe se shqyrtimi i tyre do të bëhet nga komisioni përkatës.
Neni 3 paragrafi 3.5 i Rregullores “Mbi Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Prizrenit” e aprovuar me dt. 19.09.2013 përcakton që duhet bëhet: Formimi i komisionit në kuadër të administratës komunale, për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave të taksapaguesve për mbeturina.