Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla, janë nisur për në Kosovë, pas vizitës që iu bënë mbrëmë të lënduarve nga aksidenti që ndodhi në Kroaci.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka treguar se ministrat Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.
“Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ministrja ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të të lënduarëve të cilët po trajtohen në spitalin e qytetit Slavonski Brod.
Gërvalla ka thënë se dy pacientë ndodhen në trajtim intensiv.
“Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile”, ka shkruar Gërvalla.
Postimi i plotë: