Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sa ishte ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 1 ka refuzuar të nënshkruante kontratën për “taksën ngjitëse” në veturat kur ato regjistrohen. Ai ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit të hetojë këtë kontratë të cilën e ka konsideruar “shpërdorim 2-milionësh”.
Këtë e ka cekur në një postim në Facebook ku ka kritikuar pushtetin aktual se “ka përdorur dhunë, dhunë policore ndaj kundërshtarëve politikë”, duke komentuar arrestimin e aktivistëve të Partisë Socialdemokrate që të premten në vetura zyrtare shkruan “zhvatësit” duke iu referuar kontratës në fjalë.
Marrëveshja parasheh që çdo veturë që regjistrohet të paguajë pesë euro shtesë. Sipas Qeverisë aktuale, ajo ndikon “në evidentimin e lehtë të automjeteve në komunikacion”.
“Pushteti që i ka krejt po sillet i vogël përballë kritikuesve politik. Pamjet e sotme sjellin dëshpërim. U jap të drejtë e mbështetje protestuesve të sotëm pa hezitim. Kritika e tyre është e drejtë. Bëhet kundër një plaçke publike – barrë e paarsyeshme për secilin qytetar në vend. Një kompanie tre punëtorëshe i jepet dhuratë 2 milionëshe nga pushteti që mirëmban avazin korruptiv”, ka shkruar Abdixhiku. “Si Ministër i Infrastrukture kisha refuzuar të nënshkruaja një kontratë të tillë. Sepse ishte shpërdorim i panevojshëm i parasë publike. E ftoj prokurorinë – që të ndërpresë misionet me direktiva politike para zgjedhjeve lokale – se s’i bëjnë punë; e të hetojnë këtë shpërdorim 2 milionësh që ju ndodhë para sysh. Mos keni frikë nga asnjë pushtet.”