Ambasada e Shteteve të Bashkuara te Kosovës ka kërkuar nga qytetarët dhe gazetarët në Kosovë që të mos merren me thashetheme por të presin faktet lidhur me situatën e krijuar në Deçan.
Në një postim në faqen e saj në Twitter, Ambasada ka deklaruar se ndonëse do të kryhen edhe disa teste, Ministria e Shëndetësisë beson se një bakterie është shkaktare e simptomave.
“Mendimet tona janë me ata që po vuajnë nga emergjenca shëndetësore në Deçan. Megjithëse edhe shumë teste do të kryhen, Ministria e Shëndetësisë beson se një bakterie është shkaktare e simptomave. Gazetarë, qytetarë, injoroni thashethemet. Pritni për fakte”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur edhe për serbët që janë parë në Deçan, pak ditë para se të paraqiteshin shumë qytetarë të kësaj komunë me të njëjtat simptoma, e që mediat në Kosovë kanë ngritur dyshime se mund të jenë ata që kanë helmuar ujin.
Vuçiqi ka folur për këtë çështje të enjten dhe ka treguar se ka njohuri për lëvizjen e serbëve të kapur nga kamerat e sigurisë.
“E kemi analizën e lëvizjes së veturës me targa të Novi-Sadit, nuk ishte as 500 metra afër burimit të ujit. Po presim të shohim se çfarë do të thonë”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në qytetin Borç, ku inauguroi një shtëpi shëndeti , përcjell b92.
Ditëve të fundit, mbi 1,500 banorë të fshatrave të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe të gjithë u paraqiten me simptoma të helmimit. Fillimisht pista kryesore ishte burimi i ujit, por pas analizave fillestare nga IKSHPK-ja, është thënë se uji nuk është burim i helmimit. Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë të mërkurën, se disa mostra të ujit do të dërgohen jashtë vendit për analiza më të thella.