Kancelari austriak, Sebastian Kurz ka njoftuar se vendi i tij do të dhurojë edhe një milion doza të vaksinave antiCOVID, të prodhuara nga AstraZeneca për Ballkanin Perëndimor ku përfshihen (Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore).
Kjo gjë u vë në pah gjatë një vizite të tij në New-York, ku poashtu Kurz vizitoi edhe selinë e Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për pasojat negative të pandemisë COVID-19.
“Një gjë është e qartë, ne duhet të bashkëpunojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Ne duhet të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të ndajmë shembuj të praktikës më të mirë”, tha kancelari Kurz.
Ai me këtë rast premtoi se vendi i tij do të jetë partner i atyre që kanë nevojë për ndihmë dhe pret që pandemia të kalohet dhe të kthehet në jetën normale.
Kurz theksoi se masat epidemiologjike do të shtrëngohen në Austri vetëm nëse është e nevojshme teksa beson se do të jetë më e pranueshme që qytetarët të sillen me përgjegjësi.
Ndryshe, duhet përkujtuar që Asutria pati ndarë edhe më herët 600 mijë doza të vaksinave antiCOVID për shtetet ballkanike.