Komuniteti i biznesit ka mirëpritur paralajmërimet për një pako të ringjalljes ekonomike, megjithatë kërkohet që të ketë më shumë qartësi rreth kritereve për mbështetje financiare.
Oda Ekonomike Amerikane thotë se kompanitë prodhuese më së paku u mbështeten financiarisht në pandemi, ndërsa kërkon që edhe zonat ekonomike të rishikohen sa më shpejtë. Kjo odë është e kënaqur edhe eksportin e mallrave kosovare drejt Shteteve të Bashkuara.Pakoja për ringjallje ekonomike në shumën prej 420 milionë eurove që është paraparë të ndodhë me rishikimin e buxhetit, është mirëpritur nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, megjithatë kjo kërkon nga Qeveria që të ketë më shumë qartësi rreth kritereve mbështetëse financiare.
Drejtori ekzekutiv në OEAK, Arian Zeka në një intervistë për KosovaPress thotë se me këtë pako duhet të mbështeten edhe kompanitë prodhuese, pasi sipas tij prej shpërthimit të pandemisë COVID-19 këto ndërmarrje kanë qenë më së paku të përkrahura financiarisht.Veç kësaj, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Zeka thekson rëndësinë e mbështetjes së prodhimtarisë në Kosovë, i cili parashikon që deri në fund të vitit të ketë dyfishim të eksportimit të prodhimeve vendore në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).“Ka nevojë për specifikim dhe detaje sidomos sa i përket kritereve të disbursimit të kësaj përkrahje financiare edhe për përfituesit e mundshëm. Ne si Odë Ekonomike Amerikane kemi bërë thirrje megjithatë varësisht nga ndikimi që pandemia ka pasur tek ndërmarrjet, në këtë mënyrë të dizajnohen edhe pakot e ardhshme të përkrahjes financiare. Duket që përtej përfituesve nga skemat sociale dhe atyre që janë punëkërkues, përfitues do të jenë edhe ndërmarrjet prodhuese. Ndoshta përgjatë kësaj periudhe, dhe gjatë gjithë këtyre muajve prej shpërthimit të pandemisë COVID-19 e tutje kanë qenë ndërmarrjet prodhuese që më së paku janë targetuar në aspektin e përkrahjes financiare. Masa e 13 e pakos së parë të mbështetjes financiare, që asnjëherë nuk është zbatuar, ndërkaq ka qenë e dizajnuar pikërisht për sektorin e prodhimit. Masat e propozuara nga qeveria e re nuk janë të njëjta me masat të cilat janë paraparë me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por së paku duket se në aspektin e disbursimit financiar linjat buxhetore do të parashihen me Ligjin e buxhetit për vitin 2021 të rishikuar, që do të thotë që së paku nuk do të ketë pengesë për pagesën e këtyre mjeteve tek ndërmarrjet përfituese të parapara me këto masa”, thotë ai.
Drejtori i Odës Amerikane, Zeka thotë se gjatë vitit 2020 eksportet drejt tregjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë rreth 50 milionë euro, sipas të cilit gjatë vitit 2021, ky trend pritet të dyfishohet.“Në drejtim të SHBA-ve këtu kemi arsyen më të madhe për t’u mburrur si vend pas sa viteve që kemi promovuar edhe ne si Odë Ekonomike Amerikane të ashtuquajturën sistem i preferencave, që është aranzhim i njëanshëm preferencial tregtar të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë sikur vendet në zhvillim e këtu edhe Kosovën. Tashmë po shfrytëzohet dhe ky sistem i përgjithësuar i preferencave që mundëson eksportimin e mbi 3 mijë produkteve të prodhuara në Kosovë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të eksporteve nga viti 2019 në vitin 2020, ku gati 50 milionë euro ishin në vitin 2020. Kështu parashihet që shuma e eksporteve gjatë vitit 2021 të jetë shumë më e madhe sesa ajo 2020. Kjo rritje jo vetëm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka pasur një rritje të eksporteve në përgjithësi edhe drejt Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera. Këtë vit presim të kemi dyfishim të shumës së eksporteve krahasuar me vitin 2019”, thotë ai.Për sa i përket paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për rishikimin e Zonave Ekonomike në Kosovë, Zeka thotë se si odë çdo herë kanë shprehur shqetësimin e tyre për sa i përket vendimeve ad-hoc që janë marrë për krijimin e zonave ekonomike nëpër komuna të ndryshme, qoftë edhe për Zonën Ekonomike të Veçantë Amerikane në Gjakovë.Prandaj, ai thotë se duhet të rishikohen, madje me një dinamizëm të lartë.“Vendimet e tilla natyrisht që duhet të rishikohen për shkak se nuk janë bazuar asnjëherë në një analizë të mirëfilltë ose në një studim fizibiliteti për sa i përket qëndrueshmërisë të atyre zonave ekonomike dhe se sa ato mund të shërbejnë për nxitjen e investimeve të brendshme ose të jashtme. Të gjitha këto analiza të cilat janë paraparë nga ana Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë duhet të ndodhin me një dinamizëm më të shpejtë. Kosova nuk ka kohë që të presë për vendime të tilla që lidhen me zhvillimin ekonomik. Kështu që besoj që edhe një rishikim i tillë që do të bazohet në një analizë paraprake do të ndodhë brenda këtij viti që në vitin 2022 ta nisim me sa më shumë çështje konkrete sa i përket edhe tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi”, thotë ai.Zeka po ashtu ka thënë se fuqizimi i sektorit të prodhimit jo vetëm që përmirëson bilancin tregtar, por në të njëjtën kohë është edhe indikator për krijim të vende të reja të punës të qëndrueshme, që siç thekson ai, i kanë munguar vendit tash e sa vite.