Home LAJME Prizren: Një muaj paraburgim për 5 policët që dyshohen për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare

Prizren: Një muaj paraburgim për 5 policët që dyshohen për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare

0
Prizren: Një muaj paraburgim për 5 policët që dyshohen për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare

Sot, Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë  të pandehurve, për veprat penale; keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, dhe lëndim i lehtë trupor.

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Luan Berisha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 26.06.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 26.07.2021, ndaj të pandehurve; S.H., V.K., F.K., A.P., dhe A.K., për shkak të dyshimit të bazuar që kanë kryer veprat penale dhe atë veprën penale në bashkëkryerje keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale në bashkëkryerje lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 nën par.1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve S.H., V.K., F.K., A.P., dhe A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohet të jenë kryer veprat penale, sepse me datë 16 korrik 2020, në orët e mesditës në Prizren të pandehurit në cilësi të personave Zyrtar Policor – NJSO, i keqtrajtojnë, frikësojnë dhe fyejnë rëndë dinjitetin e të dëmtuarve, ashtu që derisa të dëmtuarit ishin me pranga në duar, të dyshuarit vazhdojnë goditjet dhe maltretimet ndaj të dëmtuarve, të gjitha këto të provuara në audio incizimet.

Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që me qëndrimin e tyre në liri mund të jepen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare dhe në vazhdim duhen të merren në pyetje të pandehurit, të dëmtuarit dhe dëshmitarët eventual dhe me qëndrimin në liri të të pandehurve të njëjtit mund të ndikojnë tek të të dëmtuarit dhe dëshmitarët, andaj Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake, shqyrtoi edhe masat tjera alternative, si dhe ato të cilat i ka propozuar mbrojtja (gjatë seancës dëgjimore), mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës, caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren, përmes një komunikate për media.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here