Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë shumë shpejtë.
Di Maio këtë e ka thënë gjatë konferencës së përbashkët që e mbajti me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
“Me ministren u pajtuam që të vazhdojmë këtë rrugë për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve, rrugëtimi i reformave që Kosova duhet të ndërmarrë dhe përafrimi me BE-në. Italia është e bindur që Kosova do të jetë në Evropë dhe do të bëhet liberalizimi i vizave sa më shpejt. Të kemi një pajtim në rajon, sepse janë instrument i mirë i integrimit në BE. Unë ministres ia paraqita mbështetjen për dialogun me Serbinë. Inkurajojmë Kosovën të vazhdojë përpara për të pasur rezultat. Lehtësimi i dialogut nga BE-ja dhe mbështetja nga SHBA-ja është përkrahje e madhe. Kosova nuk mund të ketë frikë për dialog, por duhet të vazhdojë tutje”, tha Di Maio.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka falënderuar Italinë për ndihmën që vazhdimisht ia ka dhënë Kosovës. Ajo ka thënë se shpreson të intensifikohet bashkëpunimi mes dy shteteve edhe në fusha tjera.
“Vendi ynë është i përkushtuar që të anëtarësohet në BE dhe NATO. Ministri Di Maio vjen nga Italia e Jugut, e mund ta dijë se atje janë vendosur me mijëra shqiptarë më shumë se 500 vjet më parë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ka fshatra ku fliten dialekte të vjetra të gjuhës shqipe”, ka thënë Gërvalla, duke thënë se lidhja mes dy vendeve është e vjetër dhe e shkëlqyeshme. “Ne kemi pasur takim të shkëlqyeshëm për sa i përket atmosferës, por edhe për rezultatin. Rezultatin konkret e pat sot me nënshkrimin e marrëveshjes për eliminimin e taksimit të dyfishtë në tatimin mbi të ardhurat e parandalimin e evazionit fiskal, marrëveshje që u nënshkrua nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i shquar i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando”.
Gërvalla ka falënderuar Orlandon për punën e madhe të bërë në Kosovë.
Ndërkohë ka thënë se shpreson që të avancohet edhe bashkëpunimi si në njohjen e patentshoferëve, procesin e suksessimit dhe po ashtu marrëveshjen për bashkëpunim kulturor.
“Italia është mike e vërtetë e Kosovës. Miq të tillë si Italia, që pos që janë anëtarë të BE-së e NATO-s mund të luajnë rol vendimtar për t’u shpjeguar tjerëve klimën e re dhe ndryshimet e jashtëzakonshme që po ndodhin në Kosovë”, tha ajo.
Gërvalla ka treguar se në Romë do të jetë në fundjavë ku ndër të tjera do të jetë edhe sekretari i shtetit amerikan Anthony Blinken.
Ministri italian Di Maio pas takimit me Gërvallën, ka pasur takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai do t’u flasë sot deputetëve të Kosovës në një seancë plenare të jashtëzakonshme.