Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë të enjten e ka dënuar me 700 euro gjobë të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor dhe kanosje, A.E.
Ai akuzohej se e kishte sulmuar me grushte e shkelma bashkëshorten e tij E.H dhe e kishte kërcënuar se do ta bëjë “copa-copa”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, gjykatësi Lavdim Bajraktari ndaj të akuzuarit A.E shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre muaj, mirëpo me kërkesë të mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Ibadete Xhafa ky dënim u zëvendësua pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 700 euro.
Paraprakisht, A.E e pranoi fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej.
“E pranoj fajësinë, personalisht i kërkoj falje gjykatës, vepër të tillë nuk do të përsëris”, tha i akuzuari në deklarimin e tij.
Para se të shpallej aktgjykimi, avokatja Ibadete Xhafa kërkoi që ndaj të mbrojturit të saj të shqiptohet një dënim në proporcion me veprën penale të cilën e ka kryer.
“Kërkoj nga gjykata që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe të njëjtit t’i shqiptojë dënim në proporcion me veprën penale. I njëjti nuk është recidivist, është person familjar”, tha avokatja në fjalën e saj.
Ky pranim i fajësisë nga ana e të akuzuarit, u aprovua pastaj edhe nga ana e gjykatësit Bajraktari.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari A.E më 18 maj 2021, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tij dhe bashkëshortes E.H, e kishte sulmuar fizikisht këtë të fundit duke e goditur me grusht në fytyrë e më pas edhe me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit.
Për këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të KP-së.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, më datë, kohë dhe vend të njëjtë, A.E e kanos bashkëshorten E.H, me fjalët “Kam me të pre copa- copa me të fut në kese të frizit”, me ç’rast te e dëmtuara shkakton frikë, ankth, pasiguri.
Për këtë, ai akuzohej se kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181 paragrafi 2 i KP-së. /BetimipërDrejtësi