Infektologët në vend thonë se ndonëse ka filluar vaksinimi masiv, ende mbetet numër shumë i vogël i të vaksinuarve.
Megjithëkëtë ata paralajmërojnë një valë të re gjatë muajve shtator e tetor, por që intensiteti i infeksionit do të jetë shumë më i ulët se ky që po mbetet pas.
Ndonëse po cilësohet nga ekspertë shëndetësorë që vaksina kundër Covid-19 është vonuar në vendin tonë, ata po bëjnë thirrje për vaksinim, kurdo që t’iu jepet mundësia.
Infektologu Ilir Tolaj në një bisedë për Radio Kosovën, tha se shembulli i Anglisë me variantin Delta të Koronavirusit, po tregon që po infektohen vetëm ata që nuk janë vaksinuar dhe ata që nuk e kanë kaluar infeksionin me Covid-19.
“Është e rëndësishme që popullata që nuk ka rënë në kontakt me virusin të vaksinohet sa më shpejtë. Në këtë aspekt vaksinimi e ka rëndësinë e vet. Në anën tjetër vaksinimi do ta shton imunitetin edhe të atyre që e kanë një nivel të fituar të imunitetit dhe do të ndihmojë në imunitetit kolektiv të përgjithshëm’’, tha Tolaj.
Sipas infektologut Tolaj, tashmë në Kosovë mbi 60 për qind e qytetarëve, e kanë kaluar infeksionin me Covid 19.
Tolaj nuk e përjashton mundësinë e një vale të re të Koronavirusit pas pushimeve verore, por që ai parasheh të jetë i intensitetit shumë më të ulët.
“ Një valë e re është e mundur që të ndodh në shtator ose tetor, por që do të jetë e një intensiteti shumë më të ulët se që kanë qenë këto paraprake. Por në përgjithësi autoritetet janë vonuar për një vaksinim masiv, janë vonuar edhe me veprimet e tyre aktive për ta bindur popullatën për vaksinim si dhe nuk janë në nivel as me hulumtimin e rasteve të reja që po ndodhin në Kosovë dhe kjo është për një kritikë që mund të na kushtojë në periudhat e më vonshme’’, deklaroi Tolaj.
Ndryshe, imunizimi masiv ka nisur më 14 qershor. Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se pas shumë vështirësive është nisur rrugëtimi drejt imunizimit masiv.
Ai tha se së shpejti mbërrin dhe kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës.
“Shpresoj dhe besoj që do ta kemi një vjeshtë e dimër më të sigurt dhe që më të dashurit tanë do të jenë më të mbrojtur”, tha ai.
Sidoqoftë, Kosova ka nisur procesin e vaksinimit me 13 mars.