Partia Demokratik e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë dhënë nënshkrimet për ta çuar presidenten Vjosa Osmanin në Kushtetuese, pas vendimit të saj për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),Valdete Daka.
Në një përgjigje për Ekonomia Online, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjej asnjë argument në favor të arsyetimit të vendimit të presidentes Osmani.
“Unë nuk bëj prognozë sepse interpretimi i Kushtetutës bëhet sipas rregullave profesionale, asnjëherë politike. Në bazë të kësaj mund të them me shumë siguri se Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjej asnjë argument në favor të arsyetimit të vendimit të Presidentes së Republikës. Kjo është kështu për disa arsye. Në rend të parë, Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë sepse thotë që Presidenti emëron kryesuesin e KQZ. Askund nuk thotë se e shkarkon , e liron nga detyra apo ia ndërprenë funksionin. Kompetencat e Presidentit të Republikës caktohen vetëm me Kushtetutë, asnjëherë me ligje apo aktet të tjera më të ulta se Kushtetuta. Ky është parametri themelor për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Presidentes së Republikës.
Në rend të dytë vijnë parametrat që kanë të bëjnë me zgjidhjet kushtetuese në vendet e botës, që kanë sistem kushtetues sikur Kosova sa i përket rolit dhe pozitës kushtetuese të organit menaxhues të zgjedhjeve, që te ne quhet KQZ e gjetiu ka emra të ndryshëm”.
“Kosova hyn në grupin e vendeve që këtë organ e rregullon me Kushtetutë, pra KQZ është kategori kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjej asnjë kushtetutë në asnjë vend tjetër ku këtë organ e trajtojnë si kategori kushtetuese, që shefi i shtetit të ketë të drejtë për shkarkim të titullarit të organit menaxhues të zgjedhjeve sipas vlerësimit të vet autonom. Pse? Sepse shefi i shtetit në një demokraci kushtetuese parlamentare, siç është Kosova, nuk është organ fakt-zbulues e as agjension ligj-zbatues, por zbatues i përpiktë i kompetencave të dhëna sipas kushtetutës nacionale. Asnjë autorizim i Presidentit të Republikës nuk mund të ushtrohet në mënyrë autonome, sepse cdo gjë që vendos e ka në formën e vendimmarrjes zinxhirore: nuk mund të emëroj gjyqtarë kushtetues, pa propozim të Kuvendit; nuk mund të emëroj ambasador, pa propozim të MPJ dhe organeve të tjera; nuk mund të emëroj kryeprokurorin e shtetit, pa propozimin e Këshillit Prokurorial; nuk mund të emëroj kryetarin e Gjykatës Supreme, pa propozimin e Këshillit Gjyqësor dhe kështu me radhë”.
Tutje, Hasani thotë se çdo propozim për shkarkim duhet të vjen nga kryetarja ose nga anëtarët e KQZ-së.
“Kjo është kështu edhe në vendet tjera. Kjo nënkupton që çdo propozim për shkarkim dhe ndërprerje të detyrës duhet të vjen nga autoriteti që ka dominuar zonjën Daka apo nga vetë anëtarët e KQZ. Presidenti i Republikës pastaj i vlerëson ato fakte që tjerët i kanë prodhuar dhe vendos, asnjëherë kështu siç ka bërë krye në vete zonja Osmani. Asnjë lidhje vertikale në mes të Presidentit të Republikës dhe Kryesuesit të KQZ nuk ekziston. Ky i fundit i raporton Kuvendit të Kosovës”, tha ai.