Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo parti nuk do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Lekaj në seancën e Kuvendi ka treguar disa nga problemet që thotë se kanë qenë pjesë e procesit për zgjedhjen e kandidatëve për Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
“Agjencia për informim është një institucion që duhet të ketë një individ i cili ka integritet të lartë dhe që është profesional. Deputeti Bekë Berisha nga AAK-ja është kryetar i Komisionit për Siguri në kuadër të cilit është zhvilluar procesi në zgjedhjen e kandidatëve për Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ai tek ne ka paraqitur disa nga problemet të cilat e kanë përcjellur këtë proces që nga fillimi”.
“Fillimisht është kërkuar që në panelin përzgjedhës duhet të jenë vetëm nga një përfaqësues i të gjitha partive. Por me insistimin e deputetëve të LVV-së thuhet se pjesë e panelit kanë qenë të gjithë anëtarët e Komisionit për Siguri, atëherë opozita është larguar nga ky proces. LVV bashkë me Listën Serbe kanë mbështetur një kandidat i cili është vlerësuar i dobët në konkurse. Nëse votohet sot kjo pikë, LVV me të drejtë e ka kapur shtetin, po e pyes LVV-në a jeni lodh me shkarkime dhe ngarkime? Bollni më se e keni tepruar”, ka thënë Lekaj.