Pas vendimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani të marrë ditë më parë për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e Kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, opozita veçse paralajmëroi dërgimin e Osmani në Gjykatën Kushtetuese.
Kësisoj U.D së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj deklaroi sot se janë mbledhur nënshkrimet për dërgimin në Kushtetuese të vendimit të Vjosa Osmanit për shkarkimin e Dakës.
“Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje”,tha Hoxhaj.
Por ende të papërcaktuar për nënshkrime janë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
I kontaktuar nga lajmi.net, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se vendimin e Osmanit për shkarkimin e Dakës e shohin si antikushtetues, por që ende nuk kanë dhënë ndonjë nënshkrim për dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese.
“Ende s’ka nënshkruar kërkush. Jo, ende nuk jemi koordinuar për këtë çështje”, tha Gashi.
Ai madje deklaroi se janë në pritje të qëndrimit dhe veprimit të institucionit të Avokatit të Popullit, në mënyrë që ai të bëjë drejtimin e kësaj situate.
“Ne po presim qëndrimin e institucionit të Avokatit të Popullit dhe po presim që ai ta drejtojë këtë çështje.E më pas do të shohim hapat tutje. Vendimi në përgjithësi mendojmë se është antikushteutes”, deklaroi ai.
I pyetur nëse do të nënshkruajnë për dërgimin në Kushtetuese të këtij vendimi të presidentes Osmani, Gashi tha se është hipotezë për të cilën s’duan të japin përgjigje.
“Është hipotezë të cilën s’du të jap përgjigje”, shtoi ai.