Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton publikun se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikacioneve të tatimpaguesve për subvencionimin e pagave dhe qirasë si dhe është bërë ekzekutimi i mjeteve për tatimpaguesit të cilët kanë plotësuar kriteret e vendosura nga vendimi i Qeverisë së Kosovës.
Sipas MFPT-së, procesi i aplikimit nga ana e tatimpaguesve përmes platformës EDI ka përfunduar me datën 11 maj, kurse procesi i shqyrtimit dhe ekzekutimit është përmbyllur me datën 16 qershor.
Nga këto subvencione kanë përfituar 24,826 tatimpagues, ku 23,153 prej tyre kanë përfituar nga subvencionet për paga dhe 1,673 kanë përfituar nga subvencionet për qira.
“Është themeluar Komisionin e Ankesave, si instancë të shkallës së dytë për shqyrtimin e ankesave të ushtruara kundrejt të gjeturave të Komisionit Ndërministror, të konstituuar me Vendimin 21/2021 të datës 30.04.2021 të Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për zbatimin e Vendimit 08/08 të datës 21.04.2021 të Qeverisë së Kosovës. Ky Komision do të shqyrtojë ankesat e tatimpaguesve, sipas afateve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në njoftim.