Deputeti i vetëm shqiptar i Luginës së Preshevës në Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria “Kurti” që të insistojë nga Beogradi që për shqiptarët të ofrojë garancione lehtësuese për respektimin e të drejtave.
Kamberi ka thënë në “Express Intervista” të KTV-së se bisedimet Kosovë-Serbi kanë mbetur forma e vetme që të zgjidhjet çështja e shqiptarëve në Serbi.
“Ka mbetur forma e vetme që përmes bisedimeve Kosovë-Serbi të zgjidhjet edhe çështja e shqiptarëve, kërkesa jonë e vazhdueshme ka qenë që Serbia të ofrojë garancione kushtetuese për të drejtat e minoriteteve, jo ato të drejta të varura nga vullneti politik në Beograd, nga ndryshimet qeveritare që mund të vijnë këtu. E jona është që në kudër të këtyre bisedimeve, do të kërkojmë nga kryeministri Kurti që të insistojë nga Beogradi që për shqiptarët të ofrojë garancione lehtësuese për respektimin e të drejtave”, ka thënë Kamberi.
Ai ka thënë se duke kërkuar Këshill Kombëtar edhe për serbët e Kosovës në bisedimet e të martës në Bruksel, kryeministri Kurti ka dashur të provokojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“Shqiptarët kanë Këshillin Kombëtar, duke pasur parasysh aktet ligjore fillestare me të cilat ishte lejuar krijimi i Këshillave Nacionale, që kanë pasur kompetenca në katër sfera kryesore, të arsimit, të kulturës të informimit, të përdorimit zyrtar të gjuhës, përdorimit të simboleve kombëtare por të cilat janë reduktuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për ne nuk janë zgjidhje, unë besoj që kryeministri Kurti përmes kësaj ka provokuar presidentin Vuçiq i cili deklarohet se nëse Këshillat Nacionale janë zgjidhje për pakicat në Serbi pse nuk janë edhe për pakicat në Kosovë, pra mendoj që tema që ka shtruar Kurti ka pasur për qëllim të dëshmojë pabarazinë që kanë pakicat në Serbi”, është shprehur Kamberi.