Pas lirimit të masave kundër Covid-19, në Kosovë pritet të ketë ardhje të mërgimtarëve në masë të madhe.
Për t’i pritur mërgimtarët tanë në kohë pandemie, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe qendrat kufitare tokësore kanë marrë masat e duhura.
Zëdhënësja e ANP-së, Valentina Gara për Indeksonline u shpreh se fluks të udhëtarëve pritet të ketë gjatë muajve korrik dhe gusht.
Tutje, Gara shtoi se janë marrë masat e duhura për shërbimet e aeroportit në gjendje pandemie.
“Ne natyrisht që kemi numer më të madh të udhëtarëve gjatë sezonit të verës, mirëpo për shkak të pandemisë kemi pasur një rënie të madhe të numrit të udhëtarëve.
Sa i përket masave, ne ofrojmë të gjitha shërbimet në bazë të procedurave që kërkohen për operimin e aeroportit në gjendje pandemie dhe jemi duke vepruar konform tyre”, tha ajo.
Përveç aeroportit, mërgimtarët gjatë ardhjes në vendlindje shfrytëzojnë edhe pikat kufitare të Kosovës, të cilat po ashtu janë të gatshme për t’i pritur ata.
Nëse është nevoja nëpër vendkalime kufitare do të angazhohen edhe zyrtarë policor, të cilët do të mbajnë nën kontroll situatën.
“Policia e Kosovës të gjitha detyrat dhe angazhimet policore i realizon konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë edhe kontrollin kufitar.
Varësisht nga nevoja dhe vlerësimet policore, angazhohen zyrtarë policor, përfshirë zyrtarët kufitar në pikëkalimet kufitare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Indeksonline.