Përballja e sontme e Kosovës me Moldavinë do të vendosë nëse Kosova do të qëndrojë ose jo në Ligën C në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndeshja Kosovë-Moldavi do të luhet nga ora 20:45 në Stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për shkak të situatës me COVID-19, edhe kjo ndeshje do të luhet pa tifozë. Por, këtë herë do të ketë një mesazh shumë të veçantë që do të jepet nga stadiumi.
Në fakt, të gjitha ulëset e stadiumit do të përcjellin mesazhin e kampanjës “Bëhu zëri im” në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Për heroinat tona, sot stadiumi ‘Fadil Vokrri’ bën jehonë. Ne jemi zëri juaj dhe ju jeni forca jonë. 💜 ‘Dardanët’ mbështesin fushatën sensibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e “Dardanëve” në Facebook.