Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja, kanë nënshkruar sot memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.
Me këtë rast, kryeprokurori Lumezi ka folur edhe për 400 kilogramët e kokainës së sekuestruar në Lipjan muajin e kaluar.
Ai ka treguar se kokaina është duke u ruajtur në Policinë e Kosovës.
Pasi që rasti është nën hetime, ai tha se nuk mund të jap detaje tjera.
“Rasti i kokainës është në hetime dhe nuk mund të jap detaje, por kjo tregon që ka bashkërendim në luftimin e krimit të organizuar dhe se ekskluzivisht shteti i Kosovës është duke u marrë me këtë çështje”, tha Lumezi.
Kujtojmë që 30 ditë masë paraburgimi u ka caktuar Gjykata Themelore e Prishtinës, shtatë të dyshuarve me rastin e sekuestrimit të sasisë prej 400 kilogramë të drogës.
Droga u sekuestruara me 17 maj në komunën e Lipjanit, ku edhe kishte mbërritur prej gati 2 javësh.
Ajo vinte nga Brazili dhe ishte futur në 20 arka që supozohet të ishin mbushur me mish pule.
400 kg kokainë u ndoqën nga DEA dhe u lanë të kalonin me urdhrin e tyre, por askush nuk u paraqit të tërhiqte kokainën.