Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se në seancën e radhës së Kuvendit do të diskutohet për arsim si dhe për përbërjen e Komisionit të Pavarur për Medie.
“Kryesia ka vendosur që seanca e radhës të jetë me 27 maj, përveç debatit për arsim është dakorduar edhe për përbërjen e Komisionit ad-hoc për Bordin e RTK-se dhe Komisionit të Pavarur për Medie. Të gjitha komisionet janë në përgatitje të planit të punës dhe afati është 30 maji dhe ky fund muaj do t’i gjejë me agjendë legjislative dhe shpresojmë që të ketë legjislativë që e shtyjmë përpara agjendën”, ka thënë ajo.
Kusari tha se deputetët do të vaksinohen sipas moshës njëjtë si gjithë qytetarët, derisa ka shtuar se mediat duhet të jenë në prioritet në vaksinim.
“Sa i përket vaksinimit të deputetëve nuk e konsiderojmë se duhet të jetë përjashtim të popullatës dhe ata duhet të vaksinohen sipas moshës njëjtë si qytetarët. Grupi punues është aktiv dhe agjendë dinamike unë do të sjellë tutje çështjen e ngritur mirëpo pajtohem se duhet të jenë mediat por është vendim i një grupi profesional”.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, tha se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që seanca e radhës të mbahet më 27 maj për të diskutuar për problemet në arsim.
Tutje, Hamza tha se kanë deponuar iniciativë ligjore për ndryshime në TVSH.
“Ne duke e parë që Qeveria nuk e ka vëmendjen e duhur për përkrahjen e sektorit privat kemi deponuar një iniciativë ligjore që ka të bëjë me ligjin për TVSH-në dhe me këtë ligj që t’i ofrohen lehtësi. E dimë që është reformë e madhe mirëpo kjo do të duhej të ndodhte më herët. Ka edhe plotë lehtësira të tjera duke përfshirë edhe ato legjislative dhe procedurat unë shpresoj që dhe partitë e tjera ta përkrahin këtë ligj dhe besoj që është prej reformave që duhet të ndodhë”.
“Kjo iniciativë është në procedurat e Kuvendit dhe besoj që shumë shpejtë do të trajtohet në një nga mbledhjet e Kryesisë.”
Hamza tha se asnjëherë s’ka qenë temë e diskutimit vaksinimi i deputetëve.
E nga Drejtoria e Kuvendit është njoftuar se seanca plenare do të mbahet të enjten me fillim në ora 10:00.
“Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë Raportin vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2020, ndërsa më pas do të formojë dy komisione ad-hoc: Komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe atë për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media. Më pas, deputetët do të debatojnë në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, ndërsa në fund do të shqyrtojnë kërkesën e Komisionit për Shëndetësi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare. Kryesia po ashtu shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet nga Kuvendi. /EO/