Analisti politik, Blerim Shala, ka thënë se NATO po të njëjtin rol kyç që ka në Amerikë dhe Europë e ka edhe në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj, ai po thotë se edhe në rast të nënshkrimit të një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, forcat e KFOR-it mund të jenë në Kosovë derisa vendi të bëhet shtet anëtar i NATO-s.
Shala ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me deklaratën e tij që së shpejti “një shtet i fuqishëm do ta iniciojë largimin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut nga Kosova” krijoi kriza artificiale dhe diplomatike.
“Kushdo që ka fare pak dije për mënyrën se si janë krijuar Misionet e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë, në muajin qershor të vitit 1999, e di që kjo ka ndodhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (10 qershor, 1999), që kjo Rezolutë është në fuqi sot e kësaj dite, dhe që ajo do të zëvendësohet me një Rezolutë të re të instancës më të lartë ndërkombëtare, kur të arrihet Marrëveshja Gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve”, ka shkruar Shala.
“UNMIK nuk ka farë roli në Kosovë që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, ndërsa KFOR mbetet, si mision ushtarak, garantuesi final i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, e cila gjë i është rikujtuar autoriteteve më të larta të Serbisë në disa raste viteve të fundit (në vitet 2017 dhe 2019). KFOR, sipas të gjitha gjasave, do të qëndrojë këndejpari, jo vetëm derisa të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë (pas nënshkrimit të Marrëveshjes eventuale ligjërisht obligative midis autoriteteve më të larta të dy shteteve), por forcat e KFOR-it do ta përcjellin edhe ndërmarrjen e shumëpritur të nënshkrimit të PFP-së (Partneritetit për Paqe), në mes Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike dhe vetë anëtarësimin e Kosovës në NATO”.
Shala ka shkruar se historia e angazhimit të NATO-s në dhe në Bosnjë e Hercegovinë shfaqet i ngjan atij vendimi kyç të SHBA-së dhe Europës për t’i ndalë luftërat e njëpasnjëshme në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, si dhe për t’i krijuar rrethanat që në Kosovë të vendoset paqja, të iniciohet ndërmarrja e krijimit të pushtetit demokratik, dhe e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.