Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur i vendosur që ta vazhdojë operacionin luftarak në Gazë derisa të realizojë qëllimet e veta, pavarësisht thirrjes së presidentit amerikan, Joe Biden, për ndaljen e luftimeve në Gazë.
Në një deklaratë të zyrës kryeministrore në Izrael thuhet se Netanjahu e çmon jashtëzakonisht shumë përkrahjen e presidentit amerikan, porse do të vazhdohet derisa të kthehet qetësia dhe siguria për qytetarët e Izraelit.
Ndërkohë, edhe pas dhjetë ditësh me luftime të ashpra izraelito-palestineze, kanë vazhduar pa sukses përpjekjet diplomatike për përfundimin e dhunës ndërmjet Ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë “Hamasit”.
Franca u ka prirë thirrjeve për ndaljen e luftimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ende nuk dihet se kur do të mund të nxirrej për votim një rezolutë për armëpushim.
Diplomatët pretendojnë se si Izraeli ashtu edhe “Hamasi” kanë sinjalizuar gatishmëri për armëpushim, por në terren nuk janë shfaqur shenja të uljes së intensitetit të luftimeve.
Sulmet e ushtrisë izraelite deri më tani kanë lënë të vrarë të paktën 219 palestinezë, përfshirë dhjetëra fëmijë.
Ndërsa raketat e “Hamasit” kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 12 izraelitëve. Ani pse Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar bisedimet midis Izraelit dhe “Hamasit”, dy kundërshtarët kanë deklaruar publikisht se luftimet do të vazhdojnë. Ndërkaq, një zyrtar i lartë i “Hamasit” ka mohuar raportimet se grupi është pajtuar për armëpushim, porse ka shtuar se bisedimet po vazhdojnë.
Franca ka njoftuar se ka hartuar një rezolutë armëpushimi, pas konsultimeve me liderët nga Egjipti dhe Jordania.