Home LAJME Programi i Qeverisë, ekspertët e fushave e konsiderojnë si të mangët

Programi i Qeverisë, ekspertët e fushave e konsiderojnë si të mangët

0
Programi i Qeverisë, ekspertët e fushave e konsiderojnë si të mangët

Qeveria e Kosovës e ka bërë të ditur planin qeverisës për katër vjetët e ardhshme ku dy nga prioritetet e para janë menaxhimi i situatës me COVID-19 dhe ringjallja ekonomike.

Më pas vazhdojnë shëndetësia, sundimi i ligjit, rendi dhe siguria publike, pos këtyre aty janë dhe shumë pika të tjera të cilat mund t’i gjeni këtu.

Ekspertja për Politika Shëndetësore, Hana Xhemajli, për klankosova.tv ka thënë se plani i qeverisë në këtë format nuk është plan, mirëpo listë e gjërave që duhet bërë dhe që janë të ditura për një kohë të gjatë.

“Pa afate kohore dhe mekanizma se si do të rregullohen problemet e përmendura, e bën planin më shumë si një dokument të thjeshtë. Fokusi kryesor pas vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë duhet të jetë ri-strukturimi i SHSKUK-së dhe specializimet që janë dhënë nga qeverisja e kaluar. Në parim, nëse punohet për dalje nga pandemia, këto pika janë krejt në rregull dhe mund ta ndihmojnë situatën dhe daljen nga pandemia”, ka thënë Xhemajli.

Kurse, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka deklaruar për klankosova.tv se ata e kanë analizuar Programin e Qeverisë Kurti lidhur me sektorin e drejtësisë.

Miftaraj ka deklaruar e programi ka prekur fushat kryesore ku edhe në bazë të rekomandimeve të shoqërisë civile por edhe raporteve ndërkombëtare ka nevojë për reagim dhe adresim në nivel të politikave dhe ligjeve.

“Padyshim se ndër pikat kryesore të këtij programi hyjnë Vettingu dhe ngritja e kapaciteteve institucionale në trajtimin e krimeve të luftës, dhe çështje tjera që lidhur me efikasitetin, transparencen, llogaridhënien dhe qasjen në drejtësi”.

“IKD përderisa e vlerëson programin në kuptim të adresimit të çështjeve kryesore, si mangësi e sheh se i njëjti program nuk është elaboruar më në detaje, nuk i kushton rëndësinë e duhur dhe nuk jep shpjegime lidhur me Strategjinë e Sektorit të SUndimit të Ligjit, dhe afatin kohor se kur kjo strategji pritet të miratohet”.

“Sa i përket Vettingut edhe pse i është dhënë prioritet, nuk është se ka një elaborim të duhur, dhe nuk jep instruksione se si do të duket Vettingu, por këtë e ka deleguar tek Grupi punues që tanimë është themeluar nga MD”, ka thënë Miftaraj.

Programi Qeverisë Kurti brenda ka edhe politikën e jashtme duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë dhe liberalizimin e vizave.

Eksperti i politikës të jashtme Bekim Çollaku ka thënë se në këtë program thuhet se “prioriteti kryesor i Qeverisë është forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes integrimit e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, sipas tij kjo nuk paraqet asgjë të re në politikën e jashtme, sepse ky ka qenë qëllimi kryesor i të gjitha qeverive që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Një çështje tjetër e cila tingëllon tepër ambicioze dhe atraktive, ndërlidhet me dëshirën e shprehur me fjalë në këtë program se “qeveria do të paraqes kërkesën për anëtarësim të Kosovës në BE dhe NATO si dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut”. Për mendimin tim, kjo është një qasje aspak serioze në relacion me procesin kompleks dhe maratonik të anëtarësimit në BE dhe NATO. Unë shpresoj se nuk ka as edhe një anëtar të vetëm të kabinetit qeveritar i cili mendon se Kosova ka ngecur mbrapa në procesin e integrimit në BE dhe NATO për shkak se deri më tani nuk janë bërë kërkesa formale për anëtarësim”.

“Mirëpo, formulimi i bërë në programin e publikuar mund të kuptohet ose keqinterpretohet se anëtarësimi në BE dhe NATO ndodhë me anë të një akti formal të paraqitjes së kërkesës për anëtarësim. Një qasje e tillë, në rastin më të mirë tregon mungesën e njohurive elementare për këto procese tepër komplekse. Sido që të jetë, qeveria e Republikës së Kosovës përpara se të mendoj të bëj çfarëdo kërkese formale për anëtarësim qoftë në BE apo NATO, së pari duhet të punoj për përmbushjen e kritereve të përcaktuara, dhe së dyti, heqjen e pengesës kryesore që ndërlidhet me mungesën e njohjes së Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së (Spanja, Greqia, Sllovakia, Romania dhe Qipro). Derisa nuk ndodhë një gjë e tillë, Kosova mbetet e bllokuar në progresin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Ndërkohë, shpresoj se kjo qeveri do të punoj për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me BE-në përkundër faktit që në vitin 2015, partia aktuale në pushtet kishte refuzuar që të votonte për ratifikimin e saj në parlamentin e Republikës së Kosovës”.

Çollaku ka theksuar se për procesin e liberalizimit të vizave në programin e publikuar thuhet se “Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të bëjë gabimet e së kaluarës duke dhënë data të gabuara”. Sipas tij shumë më korrekte do të ishte sikur të thuhej se qeveria Kurti nuk do të bëj gabimet nga e kaluara, sepse ishin pikërisht veprimet e dhunshme kundër institucioneve të Kosovës dhe pamundësimi i ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, të cilat pamundësuan liberalizimin e vizave në vitin 2016.

“Kjo nuk ka qenë një datë e dhënë nga qeveria e atëhershme dhe as nga unë si ministër përgjegjës, por ka qenë një datë e dhënë nga Komisioni Evropian pas dhënies së rekomandimit formal për liberalizimin e vizave për Kosovën në vitin 2016. Mjerisht, momentumi i humbur është përdorur si pretekst nga BE dhe në veçanti nga disa shtete anëtare të saj për ta mbajtur Kosovën të izoluar padrejtësisht. Në fakt, BE ende është duke vazhduar diskriminimin e qytetarëve të Kosovës. Si përfundim, qeveria e tanishme nuk mund të bëj asgjë lidhur me këtë proces, sepse kriteret për liberalizim janë plotësuar në vitin 2016. Tani vendimi varet vetëm nga shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Çollaku.

Ndërsa, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik të Kosovës ka thënë se programi qeverisës lidhur me dialogun nuk përcakton çështjet ndërshtetërore për të cilat Kosova është e gatshme të dialogojë, si dhe nuk parasheh pothuajse asgjë për strukturën, formatin, afatet kohore dhe rolin e akterëve tjerë në proces

“Përkundër pritjeve relativisht të mëdha për përmbajtjen e programit qeverisës të Qeverisë ‘Kurti’, konsideroj që i njëjti, në raport me procesin më të rëndësishëm dhe të ndjeshëm politik në të cilin ndodhet Kosova – dialogu me Serbinë, është i thatë, i padetajuar e deri diku edhe reflektim jo real i situatës faktike. Po ashtu, vendosja e dialogut me Serbinë në fund të programit, vlerësoj që është bërë më shumë për konsum politik, meqenëse është evidente që ky proces do të jetë, deshti apo Qeveria, ndër prioritetet kryesore përgjatë mandatit qeverisës”.

“Sa i përket aspektit përmbajtjesor, programi qeverisës lidhur me dialogun nuk përcakton çështjet ndërshtetërore për të cilat Kosova është e gatshme të dialogojë, si dhe nuk parasheh pothuajse asgjë për strukturën, formatin, afatet kohore dhe rolin e akterëve tjerë në proces. Për më keq, programi nuk përcakton specifikisht as platformën dhe parimet negociuese të dialogut, si dhe mënyrën e trajtimit dhe miratimit të tyre në Kuvend, që duhet të jenë alfa dhe omega e çfarëdo procesi që mund të zhvillohet në të ardhmen”.

“Në fund, edhe pse pikërisht kryeministri kishte kritikuar paraardhësit e tij për numrin dhe volumin e pakët të materialeve për dialogun, vet programi është vetëm pak më shumë se gjysmë faqe”, ka thënë Cakolli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here