Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës bashkë me partnerët, për kryerjen e detyrës ku u kapen rreth 300-400 kg kokainë në Lipjan.
Sveçla ka thënë se Kosova do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.
“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë. Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre. Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit”.
Ministri i Brendshëm ka shtuar se “pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më strehë e kriminelëve”.