Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit V.M., pasi ai akuzohet se më 9 maj në rrugën Ferizaj – Shtime shkaktoi aksident trafiku me fatalitet.
V.M. duke mos e përshtatur shpejtësinë ka goditur dy fëmijë L. Rr. dhe D. B. të cilët nuk arritën t’i shpëtojnë lëndimeve të marra.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal – Fitore Krivanjeva – Daci, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 09.05.2021, në rrugën Ferizaj- Shtime, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Volkswagen Golf 1.9 TDI”, nga pakujdesia, ka shkelur ligjin mbi trafikun publik, ka rrezikuar jetën e njerëzve, duke veprua në kundërshtim me dispozitën e nenit 53.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, nuk ia ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, kushteve në rrugë, ashtu që me të hyrë në kthesë në anë e majtë të drejtimit të lëvizjes, frenon, automjeti bartet dhe kalon në anën e kundërt të anës së majtë të rrugës dhe i godet fëmijët tani të ndjerët L.Rr. dhe D.B., të cilët ishin jashtë rrugës, i pandehuri rrokulliset me automjet dhe bie në lumë, të ndjerët për shkak të lëndimeve dërgohen në QKUK-Prishtinë, ku më 09.05.2021 është konstatuar vdekja e tyre/ Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.