Më shumë se 1,000 doza të Pfizerit të pashfrytëzuara, qendra e vaksinimit “1 Tetori” e zbrazur
Një numër i vogël i personelit shëndetësor kanë shkuar të dielën deri në mesditë për tu vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID, Pfizer, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Niman Bardhi, koordinator i kësaj qendre të vaksinimit ka bërë të ditur se nga mëngjesi e deri në mesditë, sot janë vaksinuar 160 persona nga personeli shëndetësor derisa, numri total i të vaksinuarve me kontingjentin e parë të vaksinës Pfizer që nga data 5 maj, është rreth 3500.
“Deri në këto momente kemi të vaksinuar 160 persona, ndërkaq numri total nga dita e parë, kur kemi filluar më 5 maj, kemi gjithsej rreth 3500 persona të vaksinuar”, ka thënë Bardhi.
Ai ka shtuar se për arsye të ndryshme, salla “1 Tetori” sot është e zbrazur pasi shumë pak personel mjekësor kanë shprehur interesim për vaksinim.
“Aktualisht tani nuk kemi asnjë nga profesionistë shëndetësor që kanë ardhur të marrin vaksinimin, derisa ne të gjithë jemi në pritje të tyre. Personelin shëndetësor, për arsye të tyre nuk i kem këtu për tu vaksinuar. Gatishmërinë tonë e kemi, jemi në pritje dhe do të shohim se deri ku do të arrijë numri i të vaksinuarve gjatë ditës së sotme”, është shprehur ai.
Bardhi ka thënë se nga 4,680 doza të vaksinës Pfizer të cilat kanë arritur në Kosovë në fillim të muajit maj, si pjesë e donacionit prej 95,000 dozave të premtuara nga Bashkimi Evropian, më shumë se 1,000 sosh janë të pashfrytëzuara.
Kosova deri më tani ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca nga programi COVAX dhe 4,680 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinës Pfizer për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten, se duke filluar nga java e ardhshme do të ketë vazhdimisht kontingjente të vaksinave që do të vijnë në Kosovë, duke mos bërë të ditur se për cilat vaksina bëhet fjalë dhe në çfarë mënyre do të vijnë ato.
Deri më tani në Kosovë, shumë se 27,000 persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19.