Zotimin e Qeverisë Kurti që në vend të ketë pagë minimale prej 250 eurosh, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat po e konsideron hap prapa. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, po insiston që paga minimale duhet të jetë 350 euro.
Duke iu referuar një deklarate të kryeministrit Albin Kurti kohë më parë se “nuk është në rregull të ketë pagë nën 350 euro”, Azemi ka paralajmëruar se s’do të nënshkruajnë asnjë kontratë që është nën këtë shumë.
Të premten, Qeveria miratoi programin qeverisës për periudhën 2021-2025. Me dy prioritete të vendosura, menaxhimin e pandemisë si të parën dhe ringjalljen ekonomike si të dytën, Qeveria u zotua për pagë minimale 250 euro për 40 orë punë në javë, dhe ngritje të pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale. Bazuar në këtë, Qeveria thotë se do të sigurohet që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në fund të muajit. Për të rinjtë që punësohen për herën e parë, Qeveria është zotuar se do të paguajë pagën minimale për një vit.
Megjithatë, për këtë kurrsesi nuk po pajtohet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai thotë se një vit më parë, Kurti kishte thënë diçka tjetër.
“Kryeministri e premtoi një pagë 250 euro, vetëm një premtim, sikur premtimi i vitit të kaluar që është pikërisht më 5 mars 2020. Po ky kryeministër premtoi që paga minimale duhet të jetë 350 euro. Dhe e ka thënë decidivisht ‘në rrogat që marrin në kompanitë private kosovare, nuk mund të paguajnë as faturat e rrymës, ujit dhe kreditë’. Andaj mendonte që duhet të jetë 350 euro, vitin e kaluar. Po këta ujë e kemi këtë vit, po këto kredi i kemi këtë vit, po këto paga i kemi këtë vit -170 euro. Dhe në fakt nuk ka asnjë lëvizje. Gjithçka që është, është një kthim prapa”, ka thënë ai për KosovaPress.
Paga minimale në Kosovë është prej 130 deri në 170 euro.