Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka marrë vendim që kontrolli i naftës të kthehet në doganë.
Sipas vendimit të publikuar nga vetë ajo përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, shihet se Hajdari ka anuluar pjesërisht vendimin e ish-ministrit të MTI-së për kontrollin e cilësisë së naftës.
“Kontrolli i naftës kthehet në Doganë, vendoset ligjshmëria. Falë punës së mirë ekipore në MINT, sot mora vendim për të anuluar dispozitat kyçe të Udhëzimit administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, i cili jashtëligjshëm ka bartur kompetencën e kontrollit të konformitetit të karburanteve nga Dogana e Kosovës te kompanitë private të lidhura me ish-pushtetarët”, ka shkruar Hajdari.
Ajo ka thënë se përveç autoritetit ligjor, Dogana ka kapacitetet më të larta për të kontrolluar cilësinë e naftës dhe derivateve dhe për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin në Republikën e Kosovës.
Sipas saj, laboratori i Doganës, që u mbyll kundërligjshëm nga ish-ministri, është investim mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit.