Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 02.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 01.06.2021., ndaj të pandehurve, J.K., Gj.Sh., dhe B.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve, J.K., Gj.Sh., dhe B.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datën 02 maj, në orët e mesnatës në Prizren, të pandehurit pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substancat apo preparatet të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që gjatë bastisjes në shtëpinë të cilën i pandehuri A.Sh., e mbante me qira, janë gjetur substanca narkotike dhe atë:
- · një (1) pako me rizlla – mbështjellëse të Marihuanës ,
- · një (1) qese najloni me 30 Qese te mbushura me substance te dyshuar për narkotik te llojit Marihuane me peshe totale 28.51 Gram,
- · Substance e dyshuar për narkotike e llojit Marihuane me peshe 16.32 Gram,
- · Nënte (9) qese najloni me substance te dyshuar për narkotik te llojit Marihuane me peshe totale 4.07 Gram,
- · një (1) qese najloni me substance te dyshuar për narkotik te llojit Marihuane me peshe totale 52.94 Gram,
- · një (1) qese najloni me substance te dyshuar për narkotik te llojit Marihuane me peshe totale 0.33 Gram,
- · një (1) peshore elektronike e llojit Konstant me numër :14192-645C, Qese te zbrazëta plastike për mbushje te Marihuanes (rreth 100 cope ),
- · Një (1) grinder ngjyre hiri, Një (1) grinder ngjyre hiri dhe një (1) grinder ngjyre ari, ku të pandehurit i kanë përgatitur me qëllim të shitjes.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, për shkak të peshës së veprës penale dhe dënimi i cili parashikohet për këtë vepër penale të pandehurit mund të vendosin të fshihen në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes me qëllim që ti shmanget përgjegjësisë penale, duke marrë parasysh edhe faktin se të pandehurit me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit nga ana e Policisë, kanë tentuar të arratisen ashtu që kanë marrë edhe lëndime trupore dhe janë kapur nga zyrtarët Policor.
Gjithashtu, me rastin e caktimit të paraburgimit gjyqtarja e procedurës ka marrë parasysh edhe sjelljen e mëparshme të të pandehurve të cilët janë të regjistruar edhe si kryerës të shumë veprave tjera penale kryesisht të kësaj natyre, andaj këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse të pandehurit lihen në liri do të përsërisin ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre si dhe lënia në liri në këtë fazë të procedurës do të kishte ndikim negativ në rrethin shoqëror ku jetojnë të pandehurit.
Nga të lartë cekurat, gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prizren.