Interi kurorëzohet me titullin e 19-të në kampionatin italian, duke rikthyer zikaltrit për herë të parë pas plot 11 vjetësh te trofeu më i lakmuar në Apenine. Këtë herë gjithçka erdhi natyrshëm, në mënyrë të pritshme, dhe madje pa qenë nevoja për të fituar vetë në fushën e lojës.
Një titull plotësisht i merituar, të cilin për hir të së vërtetës tifozët e shumtë të këtij klubi e prisnin që nëntë muaj më herët, kur Interi u shpall nënkampion i Italisë, me thjesht një pikë më pak se sa bardhezinjtë e Juventusit, por siç dihet vitin e kaluar ekipi zikaltër i humbi dy përballjet direkte me “Zonjën e Vjetër” dhe në aspektin moral askush nuk mund të pretendonte për të marrë më tepër.
Këtë herë gjërat u kuptuan pak a shumë që në fillim, pavarësisht fluturimit surprizë dhe krejtësisht të pazakontë të rivalëve të tyre të përhershëm të kryeqendrës lombarde në krye të kampionatit italian. Sigurisht që nuk mund të ndodhte. Do të merrte përmasa të tjera dhe kjo skuadër do të mbulohej vërtet gjatë me vulën e turpit, nëse kuqezinjtë do të riktheheshin më shpejt te “scudetto”, pavarësisht vuajtjeve dhe problemeve pa fund me të cilat janë përballur drejtuesit e Milanit.
Vitet kanë kaluar shpejt dhe bëhet fjalë për një kohë relativisht shumë të gjatë, por pas largimit të Jose Mourinho-s që lumturoi popullin zikaltër me “tripletën” e famshme, Rafa Benitez pati jetë vërtet të shkurtër, ndërsa Leonardo ish-lojtari i mirënjohur i Milanit, si për ironi të faitit i dha Interit trofeun e fundit dhe të vetmin që siguroi klubi përgjatë dekadës së fundit, me atë kupë që u fitua në “Stadio Olimpico”, pas triumfit 3-1 ndaj Palermos në finalen e Kupës së Italisë.
Pikërisht Leo ia pati lëshuar timonin e kuqezinjve Massimiliano Allegrit, që në vitin 2011 i ktheu lavdinë Milanit, duke fituar titullin në Serinë A me 6 pikë më shumë se sa Interi i tij dhe që nga ajo kohë fansat e zjarrtë të këtij klubi ndoqën plot vuajtje dhe zemërim sukseset e njëpasnjëshme të “Zonjës së Vjetër” në kampionatin italian. Në fund bardhezinjtë rreshtuan jo pak por plot 9 tituj radhazi, duke prekur kuotën 36, pra dyfishin e titujve në Serinë A, kundrejt dy skuadrave të famshme milaneze, që mbeten edhe dy ndjekëset më të afërta në librin e artë të kampionatit italian.
Luhatjet e shumta dhe ndryshimet rrënjësore në aspektin taktik me trajnerin Maurizio Sarri sollën lëkundjet e para të bardhezinjve, ndërsa emërimi i ish-mesfushorit të famshëm të “zebrave”, Andrea Pirlo me një të kaluar fare të shkurtër në radhët e Interit duket se i dha edhe goditjen përcaktuese, duke gjunjëzuar përfundimisht Juven. Ëndrrës për një titull të dhjetë radhazi te rekordmenët e Italisë i jep fund kështu pikërisht ish-kapiteni i Juventusit dhe arkitekti i tre titujve të parë të kësaj epoke te bardhezinjtë Antonio Conte, i cili pasuron në këtë mënyrë ekspozitorin e tij të kupave me një tjetër trofe të Serisë A, këtë radhë me Interin, pa harruar që 51-vjecari puljez ka triumfuar gjithashtu edhe në Premier League me klubin e Chelsea-t.
Natyrisht që një meritë e madh shkon pikërisht për trajnerin nga Lecce, me stafin e tij të besuar, që përbëhet nga zëvendëstekniku Cristian Stellini, Gianluca Conte si dhe ish-lojtari i përfaqësueses “azzurre” Paolo Vanoli, që bashkë me vëllanë e Conte-s janë asistentët e tij.
Presidenti kinez 29-vjeçari nga Nanjingu Steven Zhang dhe Grupi Suning Holdings në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorin Sportiv Giuseppe Marotta plotësuan të gjitha dëshirat e Contes duke kopsitur skuadrën deri në detajet më të vogla. Zhgënjimi i finales së humbur në Rhein Energie Stadion të Këlnit me Seviljen në Europa League ishte tepër i vështirë për t’u hedhur pas krahëve, gjithsesi në 15 sfidat e para të këtij edicioni në Serinë A zikaltrit humbën vetëm derbin e Madoninës, duke qëndruar thjesht 1 pikë larg Milanit, ndërsa në fundin e fazës së parë Interi numëronte vetëm 2 pikë më pak, se sa kuqezinjtë në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit italian.
Disfata me Sampdorian në Gjenovë në ditët e para të muajit janar i dha fund tetë fitoreve radhazi, sidoqoftë ajo mbetet humbja e fundit e zikaltërve, të cilët që nga fillimi i vitit krenohen me plot 18 takime pozitive. Milani i Stefano Piolit filloi të gabojë dhe të humbasë terren, ndërsa Interi celi një seri shumë të mirë me vetëm 4 barazime dhe plot 14 fitore, 11 prej të cilave radhazi.
Në javën e parafundit të fazës së parë zikaltrit lëshuan një mesazh të qartë për sa i përket çështjes së titullit, duke mposhtur në “San Siro” kampionët në fuqi, me nga një gol për cdo pjesë, ndërsa dyshimet e fundit u zhdukën përfundimisht në fundin e muajit shkurt, pas triumfit 3-0 në derbin me Milanin.
Në këtë mënyrë Interi siguron titullin në Serinë a plot katër javë para fundit. Nëntë muaj më parë zikaltërit e mbyllën sezonin në kuotën e 82 pikëve në vendin e dytë, ndërsa tani 82 pikë i mjaftuan skuadrës së Antonio Conte-s, për të rikthyer trofeun më të lakmuar në Apenine, në këtë pjesë të Milanos për herë të parë që nga koha e Mourinho-s. Sigurisht, eliminimi i parakohshëm në Champions dhe vendi i fundit në fazën e grupeve ndihmoi jashtëzakonisht shumë në fitimin e “scudetto”-s, por gjithsesi bëhet fjalë për një titull me idenë e të cilit të gjithë u mësuan që në muajin shkurt.
Zikaltrit kanë statistikat më të mira dhe përfaqësojnë me diferencë gjithashtu edhe skuadrën më të mirë të këtij kampionati. 25 fitore, 5 më shumë se skuadra e dytë në këtë lloj klasifikimi dhe vetëm 2 humbje gjithsej, me Milanin dhe Sampdorian. Interi ka mbrojtjen më të fortë, me vetëm 29 gola të pësuar, ndërkohë zikaltërit përfaqësojnë edhe ekipin më të mirë përsa i përket rendimentit në shtëpi, me 14 fitore në 16 takime, e përjashtim përvec disfatës me kuqezinjtë në derbi bën gjithashtu edhe barazimi 2-2 me Parmën.
Interi ka dyshen më të mirë ofensive dhe sulmuesit Romelu Lukaku e Lautaro Martinez pozicionohen respektivisht në vendin e dytë dhe të tetë, për sa i përket listës së golashënuesve më të mirë të edicionit të sivjetshëm të kampionatit italian.
Një vit tepër i vështirë për të gjithë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të mëdha që ka lënë te shumë klube në aspektin financiar, sidoqoftë një vit që nuk do të harrohet kurrë nga tifozët e zjarrtë të klubit, sidomos pas një agjërimi të tillë kaq të gjatë. Një trofe i stërmerituar që meritonte të festohej në mënyra të tjera e plot madhështi, por që për fat të keq do të ketë për dekor shkallët e zbrazura të stadiumeve për arsye të virusit Covid – 19.
Tani përpara dalin detyra të reja dhe misioni ndoshta bëhet akoma më i vështirë. Mbetet për t’u parë se në cfarë mase do të ruhet ky grup dhe se cfarë do të ndodhë me Romelu Lukakun, që kërkohet me ngulm nga disa klube angleze apo qoftë edhe me vetë trajnerin Antonio Conte, gjithsesi këto janë gjëra i përkasin të ardhmes, për momentin gjithë populli zikaltër do të kufizohet për të festuar këtë titull të shumëpritur, me ëndrrën dhe shpresën se klubi i tyre i zemrës, sapo ka nisur rrugëtimin, duke hapur një cikël të ri në kampionatin italian.