Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka kritikuar ashpër kryeministrin, Albin Kurti, për pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Kastrati thotë Kurti nuk e ka hallin e qytetarëve teksa thekson se ishte më i interesuar të pijë verë e alkool në Fier, Laç e Durrës gjatë fushatës elektorale, njofton Klan Kosova.
“Situata për të cilën po diskutojmë tash e dy ditë s’do mend që është tepër serioze dhe shumë kërcënuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e qartë që po jetojmë midis ankthit të vdekjes që po kërcet në çdo derë të çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe një polarizimi politikë nga ana tjetër”.
“Burimi i krizës padyshim që është qeveria kjo dhe ajo e kaluara dhe është edhe ajo para kësaj qe një vit që ka filluar pandemia kurse burim i zgjidhjes është vetëm kjo qeveri që është aktuale sepse i ka mekanizmat dhe instrumentat për të adresuar këtë çështje si duhet. Por, në vend që sot përpjekjet tona në themel për adresimin e COVID-it të adresoheshin nga solidariteti, përgjegjësia dhe uniteti ne e shohim këtë polarizim politik dhe ato argumente të kota që i tha edhe ministri i Shëndetësisë edhe Qeveria”.
“E gjithë kjo po ndodh pasi në krye të emergjencave nuk e kemi kryeministrin i cili ishte në krye të detyrës në tavolina ku pihej verë dhe alkool nëpër Fier, Laç dhe Durrës për fushatë të Republikës së Shqipërisë. Ai ishte në Shqipëri sepse zgjodhi të njëjtën strategji që e ka zgjedh edhe në Kosovë qe 15 vjet – të shkaktojë kaos politik sepse është i ndërtuar përmes kaosit politik dhe gjuhës toksike që ka mbjellë mes nesh dhe në shoqëri”, tha Kastrati.
Kastrati vazhdoi akuzat drejt Kurtit teksa theksoi se interesimi i tij për qytetarët vlen vetëm për vota.
“Ai [Kurti] nuk e ka hallin e njerëzve, ne që e njohim qe 20 vjet e sidomos unë që kam punuar me të dy vjet 97-99 kurrë hallin e njerëzve nuk e ka pas. Njerëzit për të janë njerëz kur i duhen për vota – në momentin që ja japin votat dhe njerëzit kanë nevojë për të ai i lë të vdesin siç i ka lënë të vdesin dje, pardje e qe dy javë duke pirë alkool në Fier, Laç e Durrës”, tha Kastrati.