Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se po del që dialogu është në planin e parë të Qeverisë Kurti, madje edhe para programit qeverisës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mjekiqi ka komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, duke thënë se qytetarët e Kosovës nuk kanë njohuri për atë se mbi bazën e çfarë platforme për dialog ka marrë këtë rrugë Kurti, shkruan Reporteri.net.
“Sot, kur Kryeministri Kurti ka udhëtuar për Bruksel, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë fare njohuri për atë se mbi bazën e çfarë platforme për dialog Kryeministri Kurti ka marrë këtë rrrugë. Qeveria jo vetëm që nuk ka ofruar një plantformë të tillë por, madje, nuk ka prezantuar as planin e saj qeverisës edhe një muaj pas fillimit të mandatit.”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kurti në Bruksel pritet të takohet me përfaqësues të BE-së.
Ai do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula vor der Leyen dhe shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Ky është postimi i plotë i Mjekiqit:
Lëvizja Vetëvendosje deklaronte se dialogu nuk është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti. Por, po del që dialogu është në plan të parë, madje edhe para programit qeverisës.
Sot, kur Kryeministri Kurti ka udhëtuar për Bruksel, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë fare njohuri për atë se mbi bazën e çfarë platforme për dialog Kryeministri Kurti ka marrë këtë rrrugë. Qeveria jo vetëm që nuk ka ofruar një plantformë të tillë por, madje, nuk ka prezantuar as planin e saj qeverisës edhe një muaj pas fillimit të mandatit.
Duhet transparencë para qytetarëve dhe atë jo në formë selektive.