Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se tri qeveritë e fundit nuk kanë bërë asgjë për menaxhimin e pandemisë.
Edhe për vaksinat që kishte Kosova, Deliu ka thënë se janë diskriminuar disa.
“Metodologjia që përdori Ministria ishte hiq më pak e as më shumë sesa skandaloze. Tre persona të moshuar jetojnë të vetëm në një prej lagjeve të Prishtinës në lagjen ku është lindur e rritur ministri. Ata nuk e kanë askënd. Derisa vaksinat janë harxhuar për moshën që ata e kanë, këtyre personave nuk ka shkruar askush t’i vizitojë e evidentojë nëse janë kontrolluar e vaksinuar. Paramendoni se sa e sa të moshuar të tjerë jetojnë pa mundësinë e vaksinimit. Ku janë ekipet mobile të vaksinimit të këtyre kategorive të të moshuarve, a e keni skanuar gjendjen në terren që kur të vijnë vaksinat ata të kenë mundësinë të vaksinohen. Ku është plani për zgjerimin e kapaciteteve logjistike. Ju nuk jeni duke bërë asgjë zoti ministër. As ato punë që ju takojnë e as ato që po i përmendni. Po i numëroni viktimat a është e gjitha kjo që duhet të bëni”, ka thënë ajo.
Sipas saj, tani jetët e qytetarëve janë kthyer në numra.
“Sa duhet të arrijë numri i viktimave që ju ta bëni detyrën si duhet. A e dini që për momentin qytetarët nuk kanë as 50 për qind të barnave esenciale e materialeve shpenzuese në QKUK. E ju këtu flisni si po e përkrahni qytetarin e shkretë. Shpresoj që Kosova të fitojë ndonjë ndihmë tjetër ndërkombëtare. Po ju propozoj të merrni masa urgjente”, ka shtuar ajo.