Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, beson se partia pjesë e së cilës është ai nuk duhet të përfshihet në dialogun me Serbinë të cilin do ta drejtojë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Lekaj tha se Kurti ka injoruar opozitën vazhdimisht dhe për këtë nuk duhet ta pranojnë asnjë ftesë që AAK-në do ta përfshinte në bisedimet me shtetin serb.
“Kurti për asnjë moment të vetëm as para formimit të institucioneve as pas formimit të tyre nuk ka diskutuar me asnjë nga liderët opozitar çështjen e dialogut”, pohoi ai.
Ai kujtoi premtimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë – të cilin ende nuk e ka bërë.
Nënkryetari i AAK-së, përpos kundërshtimeve ndaj Kurtit në raport me opozitën dhe dialogun, pati kritika edhe mbi atë që “kjo qeveri nuk ka as një plan për të zgjidhur problemet ekonomike të qytetarëve”.
Përmendi rastin e fundit të pensioneve që sipas Lekajt “Kurti i zvogëloi ato”.
“Vendimi për uljen e pensioneve ishte thikë mbas shpine për ata pensionistë që u mashtruan nga Kurti duke u thënë në fushatë se do ua rriste pensionet dhe qeveria e tij do kujdesej për ta më shumë”, deklaroi Lekaj për Insajderin.
Pensionistët me vendim të Qeverisë Hoti gjatë tre muajve të parë të vitit 2021 kanë marrë nga 30 euro shtesa për shkak të situatës pandemike.
Në rrethanat pandemike, ekzekutivi i drejtuar nga Kurti, kishte marrë vendim edhe për disa masa më rigoroze anti-COVID për 12 ditë.
Këto kufizime sipas Lekajt nuk kishin efekt pozitiv, madje sipas tij “ato e dëmtuan ekonominë”.
“Mbyllja dy javore nuk ka pasur asnjë efekt pozitiv përpos efektit negativ ekonomik, një ekonomie që veçse ka prekur fundin”, alarmoi Lekaj