Pesëdhjetë përfituesit më të mëdhenj nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike i Qeverisë Hoti, janë bërë publik papritmas dje nga ministri Hekuran Murati. Postimi i Muratit i vuri flakë reagimeve. Pati kritika për kompanitë, që kryesonin listën e përfituesve.
Ndër reagimet e shumta ka qenë edhe ai i ish-ministres së Financave, Hykmete Bajrami.
Ajo ka kritikuar Muratin për veprimin e tij.
Ajo në emisionin “Frontal”, në T7 ka thënë se bizneset që i kanë përfituar ato mjete kanë të punësuar mijëra punëtorë që mbajnë mijëra familje.
“Procesi ka qenë shumë transparent. Për secilën kompani nëse më tregoni se sa ka qenë numri i punëtorëve unë ju tregoj sa kanë përfituar. Këto biznese të cilat punësojnë mijëra punëtorë, mbajnë mijëra familje, por këto 50 bizneset që janë publikuar mbrëmë punësojnë mbi 27 mijë punëtorë. Ne 27 mijë familje i kemi me asistencë sociale”, ka thënë Bajrami.
Ajo përmendi edhe mbylljen totale gjatë kohës kur në krye të qeverisë ishte Albin Kurti. Bajrami tha se aso kohe i janë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë.
“Ka qenë një kohë, unë isha Ministre e Financave kur është mbyllur sektori i ekonomisë. Kemi pasur raste që edhe kur ishin hapur shkollat, marketeve u është ndaluar që të shesim lasa dhe fletore. Janë me mijëra biznese që ende nuk e kanë marr mbështetjen për shkak të gabimeve në aplikim dhe gabimeve të bëra”, ka thënë ajo.
Më tutje, Bajrami foli edhe një ndër sektorët më të dëmtuar nga pandemia.
“Sektori i tregtisë me të dhënat e ATK-së, paguan 23 milion euro paga për punëtorët. Ata janë tatimpagues të mëdha në buxhetin e shtetit. Është puna e këtyre kompanive dhe punëtorëve që mundëson që edhe ne të marrin paga. Unë nuk jam kundër transparencës, por s’është transparencë të publikosh 50 kompani dhe mos t’i postosh të tjerat”, ka thënë më tutje Bajrami.
“Asistencë kanë marrë të gjitha pa diferencë. Unë i bëj thirrje ministrit Murati që të publikojë edhe top 50 kompanitë që kanë përfituar nga pakoja e hartuar nga qeveria ’Kurti I. Unë mendoj që as qeveria e tanishme dhe më e mëhershme nuk kanë bërë sa duhet për mbështetjen ndaj punëtorëve të sektorit privat’”, ka thënë ajo.